Haradinaj e kthen buxhetin kah Dukagjini

01.11.2017 16:11:26

Asfaltimi i rrugës në Gllogjan, Strellc e Isniq. Bashkë me stadiumin e ri në Deçan dhe dhjetëra projekte tjera infrastrukturore në zonën e Dukagjinit duken të jenë fillimi i përmbushjes së një premtimi që kryeministri Ramush Haradinaj kishte dhënë javë më parë para bashkëvendasëve.

“…ka ardhur koha e Dukagjinit. Është koha që kjo trevë e jona të hyjë në hartën e zhvillimit. Po dua me thënë që, Dukagjini tash është në rend dhe kemi me i ecë punët e kësaj treve përpara”, qe zotuar Haradinaj.

Kështu tregon edhe dokumenti i buxhetit për vitin 2018.

Në zonën prej nga vjen kryeministri sipas projekteve të listuara nuk do të mbetet rrugë pa asfaltuar, do të ndërtohen shkolla të reja e do të përmirësohet infrastruktura sportive.

Gazeta Fjala ka krahasuar projektet të parapara për vitin e ardhshëm me ato të këtij viti dhe në përgjithësi vërehet një rritje e investimeve në rajonin e Dukagjinit si në fushën e arsimit, kulturës, sportit, e infrastrukturës rrugore.

Janë mbi 22 projekte të parapara të realizohen në bashkëfinancim me komunat ose të bartura nga buxheti i rishikuar për këtë vit, derisa 14 projekte janë të reja për komunat e Deçanit, Pejës e Gjakovës.

Zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë  që do të kushtoi 5.9 milionë euro është një projektet rrugore më të mëdha që pritet të realizohen bashkë me ndërtimi i rrugës nacionale Deçan-Kufiri me Malin e Zi në vlerë 2.4 milionë euro.

Deçanit i rritet buxheti

Ashtu siç kishte premtuar edhe në fushatë, kryeministri Haradinaj është kujdesur që të këtë sa më shumë projekte kapitale në Dukagjin, veçanërisht në vendlindjen e tij, Deçan.

Sipas buxhetit për vitin 2018, komuna e Deçanit do të ketë buxhet prej 8.5 milionë eurosh.  Prej tyre, shpenzime kapitale janë rreth 2 milionë euro, përderisa 5 milionë euro tjera do të shkojnë për paga e mëditje.

Ndërkohë këto investime kapitale prej 2 milionë eurosh janë vetëm të komunës, pa përfshirë këtu projektet tjera kapitale për Deçanin që do të financohen nga niveli qendror.

Në bazë të listës së publikuar të projekteve, vërehet se shpenzimet e komunës për investime kapitale kryesisht do të shkojnë në infrastrukturë rrugore. Ndër projektet me të mëdha është ai për ndërtimin e rrugëve nëpër fshatra, gjithsej 43 kilometra, me një buxhet prej 200 mijë euro.

Projekt i madh është edhe ndërtimi i rrugës “Luan Haradinaj” dhe “Dëshmoret e Kombit” me buxhet prej 300 mijë eurosh dhe ndërtimi i shtratit të lumit “Lumbardhi” bashkë me nivelin qendror.

Miliona për sportin dhe kulturën në Dukagjin

Për vitin 2018, nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, vetëm për  stadiumet që do të ndërtohen në Pejë, Deçan dhe Novosellë të Pejës janë paraparë 1 milion  e 750 mijë euro.

“Për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Pejë janë ndarë 1 milionë e 200 mijë euro dhe për stadiumin e qytetit në Deçan janë ndarë 250 mijë euro, ndërsa për stadiumin në fshatin Novosellë të Pejës  janë ndarë 300 mijë  euro”, thuhet në projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

Më këtë buxhet parashihet edhe ndërtimi Kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës në vlerë prej 100 mijë eurosh, ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, që kap shifrën prej 750 mijë eurosh, si dhe ndërtimin e palestrave të sportit në Zahaq e Loxhë të Pejës dhe palestrës në Deçan, në vlerë prej 160 mijë euro.

Projektet për këtë regjion në kuadër të kësaj ministrie nuk përfundojnë këtu. Ndërtimi i Qendrës së Kulturës në Rugovë të Hasit në Gjakovë, Qendra Rinore në Junik, Qendra Rekreative Rinore në Pjetershan të Gjakovës, që kapin shifrën prej 800 mijë euro janë projekte të tjera që janë paraparë të realizohen.

Për ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve kulturore janë paraparë 253 mijë euro.

“Ruajtja e Kulla e Sheremertit Pejë -40 mijë euro, Shtëpia tradicionale Ryshit Kepuska në Gjakovë- 65 mijë euro, Shtëpia e Qehajve në Pejë 58 mijë euro dhe Shtëpia e Nimon Ferizit në Gjakovë 90 mijë euro”, thuhet në projektligjin për buxhetin  e vitit 2017.

Projekte milionëshe në Dukagjin për arsim

Vëmendje e veçantë në buxhet i është kushtuar edhe projekteve kapitale në arsim. Në komunën prej nga vjen kryeministri, Deçan Ministria e Arsimit ka paraparë ndërtimin e një shkolle në fshatin Ratishë me një buxhet prej 200 mijë eurosh.

Po ashtu, 250 mijë euro tjera kjo ministri ka planifikuar për renovimin e dy shkollave në fshatrat Drenovc dhe Pobergjë.

Projekte kapitale në arsim do të shkojnë edhe në dy komunat tjera të Dukagjinit, Gjakovë e Pejë.

Në Gjakovë do të ndërtohet një shkollë me një buxhet prej 400 mijë euro, ndërsa në Pejë do të bëhet renovimi i gjimnazit “Pjeter Bogdani” me buxhet prej 150 mijë euro.

Në Pejë e Gjakovë miliona euro do të shpenzohen edhe në renovimin e universiteteve publike. Kështu renovimi i Universitetit të Pejës do të kushtojë 2.3 milionë euro, ndërsa renovimi i Universitetit të Gjakovës do të jetë 1.3 milionë euro.