Haradinaj: Fadil Vokrri ishte njeri me shpirt të bardhë

10.06.2018 15:36:40

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen komemorative, me rastin e vdekjes së kryetarit të FFK-së, legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, ka thënë se Fadili ishte i të gjithëve.

Haradinaj tha se Fadil Vokrri e ka pasur shpirtin e bardhë, i cili i gëzohej lajmeve të mira për gjithçka, jo vetëm të sportit.

“Ndarjet nga një sportist i dalluar kanë dimensionin e vet dhe, të parët që preken janë sportistët, bashkë lojtarët, ata që kanë ndarë shumë momente të sportit me të. Fadili bënë përjashtim. Fadil Vokrri ishte i të gjithëve. Nuk e di kush nuk ka qenë i afërt me të. Fadili ishte një sportist shpirtbardhë, i cili mërzitej nga lajmet e këqija për këdo qofshin, jo vetëm në sport, e i gëzohej lajmeve të mira për të gjithë”, tha kryeministri Haradinaj, në mbledhjen komemorative, që u organizua nën patroatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Duke folur për rolin që kishte Fadil Vokrri për sportin kosovar, kryeministri Haradinaj, tha se Fadili e kishte mbijetuar një krenari të sportit në kohëra jo të lehta për popullin tonë edhe para viteve të ’90-ta.

“Ai e mbajti gjallë frymën e sportit edhe mes viteve 1990-1999 dhe u kthye për t’i dhënë edhe njëherë përkrahjen sportit, sportistëve, jo vetëm futbollistëve, jo vetëm Federatës së Futbollit, por gjithë Kosovës, në periudhën e re të shtet ndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në familjen e sportit, familjen e futbollit, në FIFA dhe falë tij Kosova sot e gëzon respektin në arenën ndërkombëtare. Pra, ai na bëri shumë miq për sportin, për vendin”, tha Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj siguroi familjen Vokrri se sot nuk janë vetëm ata me dhimbje, por janë të gjithë, sepse Fadili ishte dhe do të mbetet çdo herë i të gjithëve me kujtimet më të mira.