Haradinaj flet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale

23.12.2017 13:36:18

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për herë të parë ka komentuar zhvillimet e mbrëmshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Shefi i qeverisë kosovare ka thënë se kjo gjykatë do të ishte ngarkesë për Kosovën dhe do ta dëmtonte imazhin e vendit.

“Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit nacional dhe ndërkombëtar, e kemi dëshmuar në kohë të OKB-së, në Hagë, e tash edhe të EULEX-it. Edhe një gjykatë është ngarkesë për Kosovën dhe një planin e jashtëm e dëmton imazhin e vendit”, tha Ramush Haradinaj, raporton lajmi.net.

I pyetur se a rrezikohen raportet me ndërkombëtarët, duke parë deklaratat e ambasadorëve të huaj, Haradinaj tha se qeveria i zbaton vetëm vendimet e Parlamentit.

“Ato procese gjyqësore duhet të zhvillohen në Kosovë e jo në Speciale. Prandaj as nuk e kemi votuar këtë gjykatë. Tani dallim i vetëm është se jam kryetar qeverie dhe pikëpamjet politike nuk ndryshojnë”, tha lideri i AAK-së.

“Obligimet e qeverisë i marrim nga Parlamenti. Nëse ai vendos ndryshe ne i zbatojmë, respektojmë vendimin e të zgjedhurve të popullit”, ka thënë Ramush Haradinaj.

“Vendimet e parlamentit janë urdhër për neve”, përfundoi shefi i qeverisë.

Ndryshe dje dështoi dy herë mbledhja e kryesisë së Kuvendit për caktimin e seancës së jashtëzakonshme, në mungesë të kuorumit.

LDK dhe VV janë shprehur se nuk do të përkrahin veprimet individuale të deputetëve.