Haradinaj nuk e di nëse është hequr nga lista e të kërkuarve të INTERPOL-it

02.12.2017 12:40:45

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka marrë ndonjë përgjigje lidhur me atë se është hequr nga lista e të kërkuarve të INTERPOL-it.

Ai i pyetur nga mediat nëse ka marrë ndonjë përgjigje për këtë, ka thënë se nuk është marrë me këtë çështje.

“Jo për besë, në media e kam lexuar dje dhe nuk jam marrë me këtë temë”, tha ai.

Përndryshe, dje në media u raportua se Haradinaj është hequr nga lista pas kërkesës së Policisë së Kosovës.

Bëhet fjalë për një listë me 18 persona, emrat e të cilëve i ishin dërguar më herët INTERPOL-it nga Policia e Kosovës, në kërkim ndërkombëtar nga Serbia për krime lufte apo krime ndaj civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në mesin e këtyre 18 personave ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u arrestua në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, në Mulhouse të Francës.