Haradinaj për Boikenin: Jam bir i Kosovës, babën e kam shqiptar (Video)

19.10.2016 20:31:45

Zyrtari i lartë i “Vetëvendosjes”, Boiken Abazi, përmes dy postimeve në Facebook, ka fyer dje ata që shprehin dashurinë ndaj Kosovës, përmes një vargu të poezisë

“Ideja e ndryshimit të psikologjisë kolektive në Kosovë nga ‘Nëna Shqipëri’ te krijimi i një nëne të re, pra ‘Nëna Kosovë’, që lind ‘kombin’ kosovar, e anashkalon faktin se ‘Nëna Kosovë’ ka për ‘babë’ Serbinë, që e ka krijuar idenë e kësaj ‘nëne’ të re nëpër dekada përmes ndarjes së Kosovës nga Shqipëria dhe (për)dhunimit sistemik kolonialist”, ka shkruar ai në një postim, duke e thënë pastaj edhe këtë: “Shprehja ‘Unë biri yt Kosovë’, që e zëvendëson ‘Nënën Shqipëri’ në vetëdijen e popullit të Kosovës me ‘Nënën Kosovë’, është në thelb mazokizëm i pastër”!

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, daut Haradinaj.

Në emisionin InfoBoxh të RTV Dukagjinit, Haradinaj ka thënë se është djalë i Kosovës, me babën shqiptar, ndërsa vlerësimet e Abazit i sheh si veprime personale.