Haradinaj e ka njoftuar senatorin për prioritetet e Qeverisë, progresin në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve në rrugën euroatlantike, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, avancimin e procesit të reformave të gjithanshme të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.
Kryeministri ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e pakursyer që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve në vend dhe tani në procesin e fuqizimit ndërkombëtarë të Kosovës.
“Marrëdhëniet bilaterale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë treguesi më i mirë se Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht falënderues për kontributin e shtetit mik në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit tonë dhe të përkushtuar që ky partneritet të jetë i përjetshëm”, tha kryeministri Haradinaj.
Në takim është biseduar edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në Ushtri, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në INTERPOL dhe dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast kryeministri Haradinaj ka thënë se përkrahja e ShBA-ve është e domosdoshme në avancimin e këtyre proceseve.
Duke folur rreth zhvillimeve të fundit politike, kryeministri Haradinaj, tha se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e relacioneve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe në arritjen e paqes finale me Serbinë.
Senatori amerikan Ron Johnson, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar progresin e Kosovës dhe gatishmërinë e ShBA-ve për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Haradinaj e ka nderuar senatorin Johnson me medaljen e Skënderbeut, në shenjë mirënjohje për kontributit të tij dhënë Kosovës.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.