Haradinaj reagon pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Thaçit

05.11.2020 13:01:51

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, tanimë president i dorëhequr i vendit.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Thaçi, Veseli dhe të gjitha ata që po përballen me drejtësinë, duhet të përkrahen nga qytetarët e vendit dhe qeveria, pa asnjë rezervë, shkruan lajmi.net.

“Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara.
Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë.
Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë.