Haradinaj thotë se do t’i mëshonte allti në lule të ballit, atij që do provonte t’i vinte pranga për në Hagë

08.01.2019 00:16:55

Haradinaj, ka folur për thirrjen e parë për gjykim që ka marrë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Haradinaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të mos i vihen prangat para se të paraqitej para këtij institucioni të drejtësisë, pasi një gjë të tillë e konsideronte poshtërim.

“Nëse dikush do të kishte provuar të më turpëronte, të më vinte pranga apo diçka, kam mundur t’i mëshoj allti në lule të ballit”, ka deklaruar Haradinaj.

“Nëse bëni filma, keni për të parë filma”, ka kujtuar të ketë paralajmëruar Haradinaj.

“Më kanë thënë: ‘Nuk e kemi interes ta poshtërojmë Kosovën, e as ty. Jemi respektues ndaj teje’”, ka treguar Haradinaj.

“U thashë: Mos i vini pranga kujt. Nuk jemi as qyqana, as flliqtana”, ka kujtuar shefi i ekzekutivit të vendit.

“E dimë se kemi luftuar. Këtu jemi”, ka kujtuar të ketë deklaruar Haradinaj, i cili ka thënë t’i ketë siguruar ndërkombëtarët se nuk do t’i ikën drejtësisë.

“Po të më poshtëronin, do të merrte kah tjetër”, ka thënë Haradinaj, në T7.