Hasani: Demarkacioni s’i pengoi vizat

10.11.2016 23:01:30
Anëtari i Kryesisë së Nisma’s për Kosovën, Bajram Hasani ka thënë se edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovësn, Ulrike Lunacek, ua hodhi poshtë pretendimet qeveritarëve se të tjerët janë fajtor për mosliberalizimin e vizave, duke thënë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin nuk e siguron lëvizjen e lirë.

“Qeveritarët tanë tash e sa kohë janë munduar që ta paraqesin mos ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi si pengesën kryesore për dhënien e vizave për qytetarët e Kosovës. Por, sot këtë ua hodhi poshtë nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cili tha se nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit nuk do të thotë 100 për qind se do të liberalizohen vizat. Tashmë qytetarët e Kosovës, janë mësuar me ju që për të gjitha gabimet, ja hidhni fajin të tjerëve, siç keni dashur ta paraqitni që tjerët i kanë fajet për mosliberlaizimin e vizave. Kjo tregon se sa të ngutshme e keni ju ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit”, ka thënë Hasani.

Sipas tij pa viza nuk na la kundërshtimi i drejtë i opozitës, për të mbrojtur territorin e Kosovës.

“Pa viza nuk na la kundërshtimi ynë i drejtë për ta mbrojtur tokën tonë por na la korrupsioni juaj, krimi i organizuar. Por, askush më nuk i ha këto pallavra”, ka shtuar Hasani.

Ai ka thënë se është koha e fundit që vendi të shkojë në zgjedhje.

“ Është koha që të shkoni në shtëpi dhe të ja lëshoni vendin një qeverie të re, e cila do t’i zgjidhte gabimet që i keni bërë.”, ka theksuar Hasani