Hashim Thaçi, bindi serbët të votojnë transformimin e FSK-së në FA!

25.10.2016 12:05:46

Nga Rexhep Kastrati

Në një intervistë televizive, Hashim Thaçi pat thënë se kur ka qenë kryeministër, i kishte bindur serbët që të votonin krijimin e ushtrisë së Kosovës, por ja që kishte rënë Qeveria dhe kjo punë kishte mbetur pa u kryer. Pra, po të mos kishte rënë Qeveria, do të ishte kryer kjo punë, por Hashimi nuk pat treguar se pse kjo punë ishte e lidhur me fatin e Qeverisë që drejtonte ai? Pse serbët do ta votonin transformimin e FSK-së në FA kur Qeverinë e drejtonte hashim Thaçi, e pse nuk po duan ta votojnë tash që kryeministër është Isa Mustafa? Kanë ndonjë dashuri për Hashim Thaçin dhe ndonjë urrejtje për kryeministrin Mustafa? Sigurisht se këtu nuk po bëhet fjalë për dashuri dhe urrejtje, por për mundësinë që Hashim Thaçi të kishte hyrë në pazare të dëmshme për Kosovën, për çka edhe e rrëzuan Qeverinë e tij. Dhe këto pazare mund të lidhen me kompetenca ekzekutive për Asociacionin, për çka edhe ambasadorja e atëhershme e SHBA-ve në Prishtinë, Trejsi En Xhekobson pat paralajmëruar në dhjetor 2013 për kujdes se mos po krijohet “Republika Srpska”. Pra, Hashim Thaçi në vazhdën e aktiviteteve të tij diplomatike në kontekst të negociatave të Brukselit, a mos ka premtuar krijimin e një “Republika Srpska”, dhe përveç kësaj, dhe në kontekst të saj edhe një ushtri serbe në Kosovë? Nëse kihet parasysh fakti se vetëm pak kohë më vonë nga deklarata e ambsadores Xhekobson, Qeveria “Thaçi 2”, dhe fakti që nuk u la as Hashimi dhe as Ramushi të bëhen kryeministër, nënkupton se ishte synuar të ndërpreheshin këto linja të rrezikshme për Kosovën. Besimi ndërkombëtar që iu faturua kryeministrit Mustafa qoftë për drejtimin e Qeverisë, qoftë për proceset që pasuan, është një dëshmi se arsyeja kryesore e refuzimit të serbëve për transformimin e FSK-së në FA ka të bëjë pikërisht me pamundësimin e krijimit të një “Republika Srpka”, pra që në kuadër të saj të ketë edhe një uhstri serbe. Se është kështu, dëshmon fakti se Marrëveshja për Asocacionin që buron dhe është shtjelllim i marrëveshjes së 19 prillit 2013, edhe pse nuk ka lënë bazë për krijimin e një “Republika Srpska”, megjithatë u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, e cila dha vërejtjet e saj që do të duhej t’i bëheshin Marrëveshjes së 19 prillit 2013. Në fakt, është pikërisht rasti i Marrëveshjes për Asocacionin që dëshmon për rolin e Hashim Thaçit në gjithë këto angazhime: kur ai ishte kryeministër, Gjykata Kushtetuese as që guxoi të merrej me Marrëveshjen e 19 prillit 2013, duke mos ia njohur vetes kompetencën për ta shqyrtuar, por ia njohu vetes kompetencën për ta konfirmuar si ligj të Kosovës. Dhe edhe me rastin e Marrëveshjes për Asociacionin, Gjykata Kushtetuese nuk do ta diskutonte fare këtë punë me të njëjtin arsyetim, sikur Hashim Thaçi të kishte qenë kryeministër. Pra, po të ishte Hashim Thaçi kryeministër, Marrëveshja për Asocacionin do të ishte e padiskutueshme nga Gjykata Kushtetuese, e ndoshta edhe si tekstmarrëveshje e nënshkruar do të ishte shumë më e rëndë se kjo që është. Mirëpo, meqë kryeministër është Isa Mustafa, e jo Hashim Thaçi, Gjykata Kushtetuese jo që e diskutoi, por edhe konstatoi 23 raste kur ajo Marrëveshje nuk është në frymën kushtetuese. Dhe duke qenë kryeministër Isa Mustafa, i cili me përgjegjshmërinë e plotë shtetërore dhe kushtetuese, është përcaktuar që Asocacioni të themelohet me vërejtjet dhe sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra, me këtë, kryeministri Mustafa ka mbyllur debatet dhe mundësitë për të themeluar një “Republika Srpska”. Halli i serbëve dhe i shqipfolësve është pikërisht kjo: pamundësia kushtetuese dhe ligjore për të krijuar një “Republika Srpska”, për çka u bënë gjithë ato angazhime për përmbysjen e shtetit. Edhe refuzimi nga ana e serbëve për të biseduar për ushtrinë e Kosovës, bazën e ka te pikërisht këtu. Ata nuk po gjejnë gatishmërinë e kryeministrit Mustafa për pazare. Kryeministri Mustafa, jo në një rast, por në shumë raste, ka dëshmuar se nuk negocion interesat strategjike të vendit. Rasti i fundit është ligji për Trepçën. Pas gjithë kësaj, mund të thuhet se Hashim Thaçi më shumë mund të ketë pranuar të realizojë kërkesa të serbëve të dëmshme për Kosovën, sesa që ka arritur t’i bindë ata që ta votojnë shndërrimin e FSK-së në FA. Nëse nuk është kjo, le t’i bindë tash që të mos pengojnë këtë proces.