Hashim Thaçi: Marrëveshjen e vulosin qytetarët me referendum

06.09.2018 21:45:29
Korrigjimi i kufijve është vetëm përmirësim i padrejtësive historike që kanë ndodhur”, ka thënë Thaçi.

(I plotësuar 21:25) – Marrëveshja e paqes mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të hapë kurrfarë Kutie të Pandores, sipas presidentit Thaçi, sepse nëse ajo arrihet, bëhet me pajtim ndërshtetëror dhe ka legjitimitet të plotë.

“Korrigjimi i kufijve është vetëm përmirësim i padrejtësive historike që kanë ndodhur”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet t’ia qaj hallin askujt, por duhet ti shoh interesat e veta.

“Nëse shohim dhe krahasojmë deklaratat e liderëve të tërë vendeve shqiptare, shumë pak kanë besuar në pavarësinë e Kosovës, por ajo ndodhi. Të interpretuarit e politikes ndërkombëtare, sipas mentalitetit lokal dhe provincial, i ka kushtuar gjithmonë popullit shqiptar”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se marrëveshjen do ta vulosin vetë qytetarët e Republikës së Kosovës me referendum popullor.

“Me qëllim madhor sot është anëtarësimi në NATO, BE dhe OKB, sesa fitimi i një grumbullimi të votave më shumë”, ka thënë ai.

Duke nënshkruar marrëveshjen, sipas presidentit Thaçi, Serbia do ta njoh shtetin e Kosovës.

“Do të hapet rruga e sigurt e Kosovës për anëtarësime. Do të hiqet vetoja ruse për Kosovën”, ka thënë Thaçi.

***

Thaçi: S’ka terma konkrete të marrëveshjes, do të dialogohet rreth tyre

“Ne kemi kaluar në një situatë, që nëse duam të luftojmë ende për një njohje më tepër apo për njohje ndërkombëtare dhe unë po punoj për njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi i ftuar në emisionin Opinion të TV Klanit, ka folur sërish për marrëveshjen historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ky është një proces shumë i ndjeshëm dhe janë normale reagimet, por Kosova duhet të mendoj për te ardhmen e saj dhe të ecë përpara.

Thaçi ka thënë se gjithçka është duke u bërë në koordinim me SHBA-në, BE-në dhe vendet mike.

“Ne kemi kaluar në një situatë, që nëse duam të luftojmë ende për një njohje më tepër apo për njohje ndërkombëtare dhe unë po punoj për njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se me përpjekjet maksimale që kanë bërë miqtë tanë, ata nuk kanë arritur ta bëjnë Serbinë që ta njoh shtetin e Kosovës.

“SHBA nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe është mbështetësja më e madhe e jona”, ka thënë Thaçi.

“Nuk ka terma konkrete të marrëveshjes. Këto as që janë diskutuar. Unë kam hedhur idenë pas takimit që kam zhvilluar me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Atë kërkesë të tyre, kam deklaruar publikisht që do ta prezantojë”.

Thaçi ka thënë se bota ka ndryshuar, Evropa ka ndryshuar, Ballkani ka ndryshuar dhe ne duhet të jemi realist.