Haziri: Hoti shumë i butë, vështirë se mund të shtyjë para politika shtetërore

18.08.2020 21:47:38

Nënkryetari i LDK-së që është njëkohësisht edhe kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri e sheh të butë kryeministrin Hoti në raport me partnerët e koalicionit dhe ndërkombëtarët.

Haziri në RTV Dukagjini ka thënë se LDK ka bërë mirë që ka marrë postin e kryeministrit por sipas tij Hoti nuk është i duhuri për kohën e tanishme.

“Zoti Hoti përfaqëson politikën e butë të LDK-së. Ne mund t’i japim vërejtje vetëm pse përfaqëson atë politikë të butë. Është e vështirë që në një ambient të ashpër politik siç ka Kosova e Ballkani ai të shtyjë politika”, tha ai.

I pyetur nëse LDK duhet të jetë më e fortë në politika, Haziri është përgjigjur:

“Natyrisht brenda duhet të kemi politika shumë më agresive. Duhet qeverisje shumë më agresive politike. Është shumë e vështirë të arrihen qëllime me politikë të brendshme të tillë”.

“Agresiviteti në politikë ka për qëllim të shtyjë agjenda përpara”.

Haziri thotë se Hoti ashtu siç po sillet butë ndaj partnerëve të koalicionit qeverisës do të sillet edhe ndaj ndërkombëtarëve.

“Nëse nuk shkon diçka, asgjë nuk është të shkohet në zgjedhje të reja. Zgjedhjet janë gjithmonë proces demokratik”, është përgjigjur më tej Haziri.