Haziri: Kemi qenë ambicioz në premtimin për furnizim të nxënësve me shujta

22.10.2020 23:33:03

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në fushatën zgjedhore të vitit 2017 pati premtuar që në vitin 2018 do të fillojë furnizimi me shujta i fëmijëve të shkollës fillore.

Furnizimi me shujta ditore ka filluar në vitin 2019, një vit më vonë nga sa e ksihte premtuar Haziri edhe atë vetëm në tri shkolla fillore, në fshatin Shurdhan, në Kishnapole dhe në Verbicë të Zhegocit.

Ende nuk ka filluar furnizimi me shujta ditore edhe për fëmijët e 23 shkollave të tjera të Komunës së Gjilanit.

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se ka qenë ambicioz kur ka premtuar furnizimin e nxënësve të shkollave fillore me shujta.

“Ne kemi qenë ambicioz për me realizu përderisa edhe më tutje ne japim 3.2 milionë euro të hyrave komunale në zbrazëtirën për arsim. Mundësitë buxhetore janë shumë të vogla”, ka deklaruar Haziri në debatin “Jeta në Komunë”.

Po ashtu, Haziri ka deklaruar se tash nuk është pjesë e politikës së tij furnizimi me shujta i nxënësve të shkollave fillore të Gjilanit.

“Nuk besoj që tash është pjesë e politikës time, kam filluar me fshatrat malore dhe me mbështetjen e nxënësve në pjesët malore të Komunës së Gjilanit mund të stabilizohet, mund të jetë pjesë e planit buxhetor”, ka përfunduar Haziri.

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.