Helikopterët gjermanë Viva në ‘luftë’ me flakët në Shqipëri (Video)

14.07.2017 14:57:24
Vatrat e zjarrit që janë përhapur në qarqe të ndryshme të vendit, në kushtet kur termometri ka shënuar shifra rekord, kanë përfshirë në një betejë të vërtetë forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile.

Por shumë vatra digjen në lartësitë e maleve dhe kodrave, ndaj edhe ndërhyrja e helikopterëve Viva duket se ka qenë vendimtare.

Helikopterët Viva, së bashku me ekuipazhin gjerman kanë zhvilluar disa operacione që në orën 5 të mëngjesit të së premtes. Pas ndërhyrjes në malin Mile në Konispol, ku flakët ishin përhapur deri në 400 metra vijë lineare në një terren tepër të thyer, puna për fikjen e zjarrit u zhvendos në Berat.

Helikopterët Viva së bashku me personelin gjerman kanë hyrë në veprim në këto vatra zjarri, pasi iu përgjigjën thirrjes për ndihmë të emergjencave civile për dy aksione në Maqellarë të Dibrës dhe Malin Mile në Konispol, raporton Ora News.

Ndërkohë, në tokë, personeli i Viva Helicopters është në gatishmëri për të kryer furnizimin në kohë sa më të shpejtë.

Gjatë javës helikopterët e Viva morën pjesë edhe në aksionet e zhvilluara në Fushë Bulqizë Gjirokastër e Tepelenë.