Heqja e lëndëve filozofike – të bësh më pis arsimin

09.02.2017 09:24:59

Nga Rexhep Kastrat

Shqetësimi i filozofëve të Kosovës për mundësinë e mospërfshirjes së lëndëve filozofike në plan-programet shkollore, jo vetëm që është me vend, por duhet të jetë edhe shqetësim i qarqeve intelektuale dhe shkencore, pêr t’u bërë edhe shqetësim i MASHT-it. Është kështu për faktin se lëndët e tilla si Filozofia, Etika, Ligjika kanë dimensione universale në fushën e formësimit intelektual-shkencor dhe të formësimin e personalitetit të njeriut. Pas shumë eksperimenteve të ndryshme që filluan me Daksnerin, e të cilat në fund sollën pisllëkun që na e nxori PISA, është koha për të reflektuar për rritjen e cilësisë në arsim, e që nuk bëhet dot me thellimin e eksperimenteve të dëmshme, siç është edhe heqja e lëndëve filozofike nga plan-programet shkollore. Është e paimagjinueshme që nxënësit të mos mësojnë bazat e Filozofisë, të Etikës dhe të Logjikës, kur dihet se në cilëndo lëmi shkencore, qoftë të shkencave humane, ekzakte dhe natyrore, baza është në Filozofi, kurse Logjika është e domosdoshme për formulimin e gjykimeve dhe të konkluzioneve, pra edhe për një rend analizash dhe sintezash, qasjesh deduktive dhe kritiko-racionale. Etika që ka vënë bazat e parimeve etiko-morale si studim shkencor, po ashtu, është e domosdoshme për formësimin intelektual dhe shkencor dhe të personalitetit të njeriut. Të gjitha lëmitë shoqërore dhe shkencore bazën e kanë në Filozofi, Logjikë e Etikë: që nga mjekët e deri te astronomët, që nga gjuhëtarët e deri te matematikanët. Betimi i Hipokratit nuk është asgjë tjetër pos shpërfaqje e një dimensioni etik të mjekut. Ta mendosh matematikanin pa Logjikën, është absurde. Filozofët e parë kanë qenë edhe astronomët e parë. Filozofët e parë kanë qenë edhe gjeografët e parë. Bazat e Matematikës i kanë vënë filozofët. Për të mos shkuar më tej, duhet thënë se në të gjitha shkencat thuhet se e heq origjinën nga Filozofia. Edhe në shkencat moderne siç janë ato që lidhen me teknologjinë e informacionit, fizikën kuantike dhe të tjera logjika e numrave, e tipizimit dhe shtjellimit të saj është baza e tyre. Dhe të heqësh këto lëndë nga plan-programet shkollore, do të thotë të heqësh bazën e studimit dhe të formimit intelektual-shkencor dhe të personalitetit të njeriut. Në kushtet kur niveli i leximit ka rënë dukshëm, në kushtet kur e vetmja mundësi për të mësuar diçka ka mbetur shkolla, dhe në kushtet kur rrjetet sociale po e sakatojnë intelektin e njeriut dhe po ia marrin pjesën më të madhe të kohës, heqja e lëndëve filozofike do të ishte kontribut për thellimin e injorancës dhe kontribut për analfabetë të kualifikuar.

Duket se te ne po vërtetohet më bindshëm ajo thënia e Umberto Eco-s se interneti dhe rrjetet sociale e promovojnë “budallain e fshatit si mbajtës të së vërtetës”. Dhe këta “budallenj fshati”, te ne duan të krijojnë terrenin për marrëzinë dhe injorancën që të ketë sa më shumë të marrë dhe sa më shumë injorantë.

Sokrati që ka qenë njeriu më i urtë i kohës së tij, i vetëdijshēm për pakufishmërinë e dijes, kishte thënë “E di se nuk di asgjë”, kurse këta “budallenjtë e fshatit” duan të kufizojnë edhe më shumë dijen dhe mundësitë për nxënien e saj.

Në planin kombëtar dhe strategjik, e tërë kjo është e rrezikshme, sepse çfarë shkolle kemi, të tillë shoqëri do të kemi, të tillë administratorë do të kemi, të tillë drejtues shteti do të kemi.