Heronjtë Sali Çekaj dhe Tahir Zemaj e organizuan personalisht ushtrinë

08.02.2017 22:58:22

Dëshmonte Fadil Tolaj, në intervistën e tij ekskluzive, me rastin e njëvjetorit të vrasjes së kolonel Tahir Zemës, bashkë me të birin e tij Enisin dhe kushëririn Hasanin. Në këtë intervistë, ka folur edhe për figurën e heroit Salih Çekaj,bashkëluftëtar i të cilit ka qenë, dhe për lidhjet e tij dhe të kolonel Zemajt me të. Detajisht ka folur edhe për organizimet e para ushtarake që janë bërë në Rrafshin e Dukagjinit, dhe më gjerë.

Intervistoi Seff Krasniqi dhe Nazmi Lukaj
Fadil Tolaj flet edhe për peripecitë që ka pasur familja e tij, kur ky ndiqej nga policia serbe, për shkak se ishte inkuadruar në grupin e komandant Salih Çekajt. Ndër të tjera, ka shfaqur edhe opinionin e tij për atë organizim ushtarak, për përplasjet mes grupit të Salih Çekut dhe të Xhavit Halitit me shokë, për shkaqet e krimit pas përfundimit të luftës etj…

PYETJE : Zotëri Fadil, si bashkëveprimtar i Salih Çekajt, pastaj dhëndërr i kolonel Tahir Zemajt, duke qenë afër tyre, sigurisht keni shumë gjëra për të thënë që lexuesit është me interes t’i dinë. Do të fillonim së pari me kontaktet që ke pasur me Salih Çekajn. Na trego kur jeni njohur me të?Fadil Tolaj: Salih Çekajn e kam njohur qysh në moshën e re. Ka qenë tezak i kushërinjve të mi. Meqenëse, Salihu ka qenë disa gjenerata më i vjetër se unë, në rininë e hershme nuk kemi pasur ndonjë raport a bashkëpunim të veçantë. Kontaktet tona kanë qenë sponante, dhe kanë filluar të shpeshtohen, pasi Salihu e kreu Fakultetin Juridik dhe filloi të punojë gjkatës në Gjykatën Komunale të Deçanit. Për punën e tij korrekte, të ndershme dhe profesionale ai u avansua në instancat më të larta në komunën e Deçanit. Përkundër pozitës hierakikte që kishte në komunë, ai nuk pranonte që pas orarit të punës të shetitej me veturën zyrtare për t’u bërë argat i fshehtë i dreqit. Ka pasur raste që ty-tre herë në muaj ishte mysafir në Pobergjë te tezakët e vet, e këta i kisha kushërinj. Në të shumtën e herave kam qenë edhe unë i pranishëm në ndeja dhe biseda të ndryshme.

Për të folur për jetën, e sidomos për veprimtarinë e pasur kombëtare të Salih Çekut, nuk është fare lehtë. Jam krenar dhe i lumtur që kam pasur rastin ta njoh. Në biseda ka qenë modest, por me vizione të qarta dhe intelektual që i duhej kombit të robëruar. Salihu, me një fjalë, ka qenë figurë komplekse dhe komplete, sepse ka qenë intelektual i mirëfilltë, ka qenë trim dhe atdhetar i devotshëm. Mu për këtë, e them me përgjegjësi, se na takon të flasim për veprën e tij jo vetëm neve si bashkëkombës, bashkveprimtarë dhe bashkëluftëtarë, por e kanë obligim moral dhe kombëtar edhe institucionet më të larta të Kosovës. Në veçanti, për hir të së vërtetës dhe titullit që mbajnë, duhet të flasin historianët, kur t’i shkruajnë faqet e reja të historisë së re të Kosovës. Salih Çekaj, me meritë, domosdoshmërisht duhet të jetë kyç dhe në ballin e rreshtit të gjatë të të gjithë atyre që me vite punuan dhe vepruan për çlirimin e Kosovës. Sot, shumë nga ky rresht i gjatë nuk janë më në mesin tonë. Ata u flijuan në fushën e nderit për lirinë e Kosovës. Salih Çekaj, edhe në rreshtin e dëshmorëve, është në mesin e të parëve. Gjeneratat e reja, në Historinë e Re të Kosovës, duhet të mësojnë për veprimtarinë kombëtare njëzetvjeçare të Salih Çekajt, i cili punoi me aq përkushtim për çlirimin e saj, derisa ra heroikisht në « Betejen e famshme të Koshares ».

PYETJE: Odat e Kosovës kanë qenë njëlloj institucioni, ku është folur për gjëra që ishin të ndaluara në sistemin shkollor. Ato kanë shërbyer edhe si vende për fjalime gjysmë publike, sidomos në Dukagjin. A ke pasur rastin ta dëgjosh Salihun në biseda të këtilla?

Fadil Tolaj: Në ndeja a takime të rastit në oda të burrave, nga Salihu gjithnjë kam dëgjuar dhe kam mësuar gjëra të mençura. Përmbajtja e tyre ka qenë e njëjtë sikur në organizime të ndryshme në vende publike. Ai ka shprehur gjithkund brengën për fatin e Kosovës, për vuajtjet e popullit shqiptar etj. Fliste me pietet për të gjithë veprimtarët, patriotët dhe luftëtarët e kombit që ishin flijuar për çështjen kombëtare. Gjithnjë fliste që edhe gjenerata jonë e ka për detyrë të paguajë çfarëdo çmimi të lartë, për të vazhduar rrugën e atyre që kishin lagur tokën me gjak për çlirim nga thundra serbe. Jo rastësisht e thashë më herët se Salihu ishte vizionar, sepse shumë heret pati filluar ta përgatisë terrenin, duke kërkuar njerëzit që në momentin e caktuar do t’i gjindeshin afër për detyra kombëtare. Ajo që duhet vlerësuar shumë te Salihu, është fakti që ai në kërkimin e këtyre njerëzve, nuk bazohej vetëm në lidhjet familjare. Më së shumti e çmonte trimërinë e njerëzve dhe vendosmërinë e tyre për sakrificë.

Në këtë vazhdë, e di që ka pasur edhe te unë besim të madh. Sigurisht përcaktuese ka qenë edhe e kaluara e pastër e familjes sime; si nga ana e babës dhe nga ana e nënës. Ky besim mund të them se ishte reciprok. I kam besuar dhe kam pasur respekt aq të madh për të, që edhe sot e ruaj me fanatizëm. Serioziteti, puna e palodhshme profesionale dhe e ndershme e tij bëri që Salihu gjatë viteve 1987, 1988, 89 dhe 1990 të jetë njëri prej udhëhqësve dhe funksionarëve më me atutoritet në komunën e Deçanit, dhe më lart. Në këtë kohë, siç dihet, në Kosovë filloi të zbatohet politika çfarosëse kundër shqiptarëve, politikë kjo e përpiluar më herët nga qeveritë e Serbiësë së garashaninëve e qubrilloviqëve. Pikërisht në vitin 1987, me ardhjen me dhunë të Millosheviqit në Kryesinë e Serbisë, kryekrimineli i Ballkanit filloi zbatimin e memorandumeve famëkëqija, të përpiluara më herët, që parashihnin zbrazjen e Kosovës nga substanca kombëtare shqiptare. Dihet se filloi me propagandën antishqiptare, më vonë me ndyshimet kushtetuese, ku u bë abrogimi i Autonomisë së Kosovës. Përkundër dhunës që vazhdoi të ushtrohet kundër shqiptarëve, shpesh me intenzitet shumë të shtuar, ne shqiptarët e Kosovës ia arritëm të qëndrojmë stoikisht në mënyra të ndryshme, duke mos u gjunjëzuar.

PYETJE: Ku gjendej Salih Çekaj në atë kohë, dhe ku ishte i rreshtuar?

Fadil Tolaj: Ato vite, Salih Çekaj e gjetën në një vend të lartë udhëheqës dhe me përgjegjësi të madhe në komunën e Deçanit. Ishte kryetar komiteti, dhe ky funksion duket të ketë qenë sfida dhe sprova më e madhe për të. Përkundër funksionit që kishte, Salih Çekaj ishte funksionari i parë në Kosovë që u rreshtua në krahun e popullit dhe u solidarizua me kërkesat e tij. Ai s’u mashtrua as nga karriera politike, si u mashtruan disa, as nuk i pati parasysh pasojat që do t’i përjetonte më vonë për kundërvëniet që ia bëri aparatit të diktaturës serbo-komuniste të asaj kohe. Në nëntorin e viti 1988, kur minatorët e Trepçës filluan marshimin e tyre drejt Prishtinës me kërkesën që të mos ndodhin ndryshimet kushtetuese, më kujtohet që si punëtor në Fabrikën e Mobilieve në Deçan, u organizuam me shpejtësi të madhe dhe u nisëm këmbë për Prishtinë. Donim t’iu bashkëngjiteshim minatorëve të Trepçes. Në dalje të Deçanit, në rrugën kryesore, kishte dalë Salih Çekaj. Nuk kishte dalë për të na penguar, siç kishin bërë të tjerët para tij, por për të na inkurajuar të shkonim sa më shumë për Prishtinë.

Gjithashtu, nëpërmes punëtorëve që ua kishte besën më shumë, na dërgonte këshilla për vigjilencë dhe kërkonte që situatën ta mbanim në dorë. Kishte mundësi që në rreshtat tonë të infiltroheshin pjestarë të UDB-së, për ta degjeneruar protestën gjithëpopullore. Gjatë rrugës, na u bashkëngjit Peja, dhe më se gjysma e Dukagjinit. Afër Klinës, u takuam me drejtorin e Gjeravicës dhe të Fabrikës së Mobilieve, Shefqet Tolajn dhe Avni Hasajn, që ktheheshin nga një udhëtim zyrtar nga Sarajeva. Të dytë patën qëndrime të njëjta për shkuarjen tonë në Prishtinë, por edhe kërkuan të jemi të kujdesshëm e të kthehemi shëndosh e mirë në shtëpitë tona. Na premtuan se askush nuk do të kërkonte të ushtrohej ndonjë sanksion kundër nesh. Shkuarja e gjysmës së Kosovës në Prishtinë, për t’iu bashkëngjitur minatorëve të Trepçës, tronditi Serbinë. Ky ishte mesazh i qartë se shqiptarët nuk do të dorëzohen kurrë, dhe se nuk do të pajtohen me fatkeqësinë për të jetuar nën sundimin e Serbisë. Situata çdo ditë keqësohej në Kosovë. Ndërmarrjen tonë disa udhëheqës filluan ta akuzojnë për nxitje dhe shkuarje të organizuar në Prishtinë. Megjithatë, duke iu falënderuar drejtorëve tonë: Avni Hasajt dhe Shefqet Tolajt, të cilët e kishin edhe përkrahjen e fortë të Sali Çekaj, askush nga ne punëtorët nuk u përjashtua nga puna, as nuk mori ndonjë dënim tjetër.

Salih Çekaj ishte me ne. Ai i përkrahte këkesat e popullit

PYETJE : Thuhet se kur minatorët e Trepçës u futën në grevë urie nëpër zgafella, Salih Çekaj i ka përkrahur haptas, edhe pse ishte zyrtar i lartë në komunën e Deçanit. Di gjë të thuash për këtë?

Fadil Tolaj: Gjatë atyre ditëve të vështira, për Salih Çekaj të gjithë e dinë sa ka pasur qëndrimin konstruktiv dhe patrotik. Ky qëndrim ia rriti autoritetin, si te punëtorët, ashtu edhe te mbarë popullata e komunës së Dreçanit. Në fund të shkurtit të vitit 1989, minatorët e Trepçës u hedhën në grevë urie në zgafellat e minierës, gjithnjë me këkesa tashmë të njohura për opinionin. Duke mos pasur mundësi t’u bashkëngjiteshim, posa u informuam, ditën e dytë të grevës, u solidarizuam me ta. Me ne u solidarizuan punëtorët e Gjeravicës, me përjashtim të disa serbëve që punonin nëpër sektorë të ndryshëm të kësaj ndërmarrjeje. Kërkesat tonë kanë qenë të hapura dhe identike me ato të minatorëve. Kërkonim të mos bëhen ndyshimet kushtetuese, ku humbej Autonomia e Kosovës. Kërkonim edhe dorëheqjen e disa politikanëve shqiptarë, që i përkrahnin këto ndryshime. Salih Çekaj ishte me ne. Ai i përkrahte këkesat tona, kërkesat e popullit.

PYETJE : Ku e vërenit që ai ishte me ju, me popullin?

Fadil Tolaj: Ka qenë dita e dytë a e tretë e grevës, kur Salih Çekaj erdhi me një delegacion nga komuna e Deçanit. Këtë delegacion e “shoqëronte” edhe një anëtar i paftuar i Komitetit Qendror të Jugosllavisë. Para tyre i shprehëm kërkesat tona. Ishim vendosur në restorantin e ndërmarrjes. Në mesin tonë, kishte njerëz të grupmoshave të ndryshme. Kishte të moshuar, po kishte edhe të rinj e të reja. Kishte edhe nëna shtatzëna dhe të tjera që i kishin lënë fëmijët në shtëpi. Dhe, kohë pas kohe, shkonin për t’i ushqyer. Ato posa mbaronin punët e domosdoshme të shtëpisë, ktheheshin prapë në mesin tonë. Ardhjen e Salih Çekut në mesin tonë njerëzit e pritën me gëzim. Asnjë moment nuk ka bërë presion që ta ndërpresim grevën. Edhe ardhja e Salih Kastratit nga Lëbusha na ka gëzuar atëherë, sepse ai gëzonte autoritet në popullin e Deçanit. Në këtë grup, kishte edhe të tjerë që populli nuk donte t’ua shihte fytyrën, për shkak të lojalitetit të tyre ndaj Serbisë. Ata sot, për ta larë atë gjynah, janë radhitur në partitë që po e konsiderojnë veten ” parti të dala nga lufta”.
PYETJE : Ke mbajtur në mend çka është thënë në atë takim?
Fadil Tolaj: Nëse kam harruar ndonjë detaj, gjërat kryesore i di. U zhvillua një debat i gjerë dhe shumë i nxehtë. Nga punëtorët, i pari e mori fjalën Genc Tahirsylaj, pastaj Mehmet Osaj, Bajram Gjikokaj, Nurije Cacaj, Zymer Zymeraj e shumë të tjerë. Situata u tensionua aq shumë, saqë disa herë gati ka dalë jashtë kontrollit. Ne ishim të prerë dhe shumë këmbëngulës në qëndrimet dhe kërkesat tona. Kështu ia bëmë me dije ” mysafirit ” të paftuar nga Beogradi se populli shqiptar kurrë nuk do të pajtohet me administrimin e Serbisë në Kosovë. Në këtë ambient të nxehtë, Salih Çeku në fillim vetëm e vëzhgonte situatën. Në fytyrën e tij, vërehej se çdo diskutim joni e bënte më të fortë. Në një moment, u ngrit në këmbë për ta marrë fjalën. Për disa minuta rresht, nuk mundi t’ia nisë nga duartrokitjet tona. Kur u qetësuam pak, pasi na përshëndeti, bëri një shpjegim të situatës politike në vija të përgjithme. Në fund, u shpreh haptas para masës : ” Unë nuk kam për të thënë as më shumë e as më pak se ju. Ju garantoj me ndërgjegjen më të lartë, se unë, Salih Çekaj, si bir i këtij populli, pajtohem plotësisht me kërkesat tuaja, dhe ato i konsideroj si këkesa personale. Ju betohem që këto kërkesa do të dëgjohen edhe më lartë“. Diskutimi i tij ishte diskutim i pjekur, që na mbushi me shpresë. E them me përgjegjësi se Salih Çekaj ishte politikani i parë i asaj kohe në Kosovë që guxoi t’i pranojë kërkesat e popullit të Kosovës, si kërkesa të veta. Ai këtë e bëri haptas, dhe tha se do të qëndrojë pas tyre, pa llogaritur pasojat.

PYETJE : Si mbaroi ai takim, ajo vizitë me “mysafirin” e Beogradit?

Fadil Tolaj: Gjatë diskutimeve, papritmas është futur në sallë udhëheqësi i sigurimit të ndërmarrjes sonë, z. Ali Çekaj, i cili më një zë pak trishtues kërkoi dhjetë djem të fortë, për ta shuar zjarrin që e kishte kapluar një pjesë të nxemjes dhe të Sillosit. Të entuziazmuar nga fjalimi dhe premtimi i Salih Çekajt, duke vënë jetën në rrezik, pa ndihmën e zjarrfikësve, ia arritëm ta shuajmë atë zjarr. Kështu, e shpëtuam fabrikën pa u djegur . Në këtë punë, për shkak të gazërave të liruara nga zjarri, disa veta u dërguan për ndihmë mjekësore në ambulancën e Deçanit. Në mesin e tyre, kam qenë edhe unë.

Dua të shtoj edhe disa gjëra, sepse ne punëtorët e Fabrikës së Mobilieve gjatë atyre viteve (88, 89, 90) në vazhdimësi kemi qenë në ballë të protestave dhe të demonstratave. Kjo bëri që të gëzonim një respekt të madh nga populli i komunës së Deçanit. Kontributi ynë për çështjen kombëtare ishte i madh, duke i ditur rrethanat politike të atyre viteve. Gjatë këtyre demonstratave, kemi pasur disa persona të plagosur dhe disa të arrestuar. Thjesht, kemi qenë halë në sy për UDB-në e Serbisë dhe të punëtorëve të saj, si të Vukmir Mirqiqit dhe Qazim Majzrekajt me shokë. Ata na kanë pëcjellë në çdo hap. Në këto rethana, janë burgosur shumë persona. Më kujtohet rasti sesi në Carrabreg është nxjerrë nga vetura ime, i plagosur, Jashar Dobraj, të cilin e dënuan gjashtëdhjetë ditë burg. Në këtë rrëmujë pak nga fati, duke u paraqitur gjoja se isha mysafir i rastit, e më shumë nga qëndrimi i Jasharit, kam shpëtuar edhe unë pa u burgosur. Ndoshta dola pak nga tema a?

PYETJE : E kishim bisedën te takimi me Salih Çekajn!

Fadil Tolaj: Tash po vazhdoj edhe diçka për aktivitetin e asaj kohe të Salih Çekajt. Pasi haptas e dënoi politikën që zbatohej në Kosovën e atyre viteve, dhe nuk pranoi të bëhej vegël e serbëve, e mori edhe ndëshkimin. E pushuan nga puna me dhunë. Largimi nga puna, Salihun, e motivoi edhe më shumë dhe e bëri më të fortë. Tash ai e vuri tërë potencialin intelektual në shërbim të Kosovës dhe të çështjes kombëtare. Po e theksoj, edhe pse është përmendur në disa shkrime, pa u hamendur me disa kolegë, e formoi Shaqatën e Pavarur të Juristëve në Deçan. Me ndryshimin e përditshëm të situatës politike, sidomos pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut për pavarësinë e Kosovës nga delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës dhe aprovimit të Kushtetutës së Kaçanikut, Salihu me kolegët e vet hartoi statutin e Komunës së Deaçanit, në përputhje me këtë Kushtetutë. Ky veprim i tij njihet si akt trimërie te qytetarët e Deçanit. Këtë Serbia e vlerësoi si shumë të rrezikshëm, kështuqë disa nga kolegët e Salihut, i arrestoi dhe i dënoi. Salihu, falë ndihmës së Sherif Ramosës dhe Haxhi Gashit, shpëton dhe largohet nga Kosova.

Salihu në kuadër të LDK-së, ka kryer detyra nga më të rëndësishmet politike dhe kombëtare. / Vijon