Heynckes kthehet me fitore në stolin e Bayern

14.10.2017 19:21:24

Nis me fitore rikthimi i Jup Heynckess në krye të stolit të Bayernit të Mynihut, teksa arriti të mposhte me rezultatin e thellë 5-0 skuadrën e Freiburg. Bavarezët kaluan shumë shpejt në avantazh falë autogolit të Schuster në minutën e 8. Të pakënaqur me rezultatin, vendasit vazhdojnë të ushtrojnë presing në kërkim të golit të dytë dhe vetëm në minutën e 42, Kingsley Coman dyfishon rezultatin.

Fraksioni i dytë i lojës sheh sërish Bayernin dominues. Ndërkohë në të 62, VAR i mohoi Bayernit një penallti të diskutueshme, ndërsa vetëm një minutë më pas Thiago Alcantara realizon dhe golin e tretë, ndërkohë që në të 75 Robert Lewandowski ndal sërish topin në fundin e rrjetës. Teksa gjithcka po shkonte drejt fundit në minutat shtesë pjesë e listës së protgonistëve në këtë takim bëhet dhe Joshua Kimmich. Pas dy barazimeve radhazi Bayerni i Mynihut rikthehet tek fitorja.