Historike! Kroacia “gjunjëzon” Anglinë, futbolli “nuk kthehet” në shtëpi

11.07.2018 22:46:28

Kombi “mëmë” i futbollit është në lot pas një feste të çmendur pak ditë më parë kur Anglia u rikthye në një gjysmëfinale Botërori pas 28 vitesh.

Profecia “Po vjen në shtëpi” nuk u përmbush pasi ekipi i Gareth Southgate u tregua i dobët, duke mos ruajtur një avantazh me shumë vlera, që e gjeti që në minutën e 5’ me Trippier.

Yjet e “Tre Luanëve” pas një 45 minutëshi të parë të shkëlqyer u dorëzuan në të 68’, kur Perisic barazoi sfidën me një goditje spektakolare në stil “karate”.

Në pjesën e dytë Kroacia vendosi diktatin e saj në fushë, por 90’ minutat në stadiumin “Luzhniki” të Moskës u mbyllën në paqe dhe gjithçka shkoi në shtesë.

Ishte Anglia që nisi shumë mirë 15’ minutat e para të shtesës, por shfaqjen e “vodhi” Kroacia, që në të 19’e shtesës shënoi me Mandzukic, duke çuar në delir tifozët kroatë.

Kroacia e Luka Modriç arrin kështu të “gjunjëzojë” Anglinë e yjeve dhe bën histori duke parë veten në të parën finale Botërori për kombin e tyre.