Hoffenheim, barazim me vuajtje ndaj Këlnit

21.04.2017 23:28:46

Keln dhe Hoffenheim nuk prodhuan dot një fitues mes tyre duke ndarë pikët në “Rhein Energie Stadion” në ndeshjen hapëse të javës së 30-të. Hoffenheim evitoi humbjen e katërt sezonale duke shënuar pikërisht në kohën shtesë, sic ka bërë shpesh këtë sezon duke konfirmuar s enuk dorëzohet asnjëherë, dhe jo më kot ka plot 13 barazime.

Një pikë e rëndësishme për skuadrën mike, që është shumë pranë zyrtarizimit dhe pjesëmarrjes së parë në Champions League, përballë një Këlni që gjithashtu lufton për zonën e Europa League. Pas një pjese të parë pa gola, ishte në fakt Këln që gjeti epërsinë me Bittencourt, që shfrytëzoi një passim shumë të bukur të Hectorit në të 58-tën.

Hoffenheim ishte disi konfuz dhe nuk bëri shumë për të arritur te barazimi, por një top I larguar jo mirë nga Osako në të 93-tën shërbeu si assist për Demirbay, që mposhti Hornin duke vulosur rezultatin përfundimtar në 1-1.