Homazhet për Rexhep Çelikun, Meta: Mungesa e tij do ndihet gjatë

13.01.2018 13:54:41

Në ambientet e Muzeut Historik Komëbtar janë zhvilliuar sot homazhet në nder të solistit të parë dhe koreografit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Rexhep Çeliku.

Mjeshtri i valles shqiptare u nda nga jeta dje për shkak të një sëmundje të rëndë.

I pranishëm në homazhe ishte edhe Presidenti Ilir Meta, i cili e dekoroi Çelikun vetëm pesë ditë më parë me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Meta u shpreh se Çeliku e mundi sëmundjen kur dy muaj më parë hipi në skenë dhe ngriti peshë shumë zemra me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit Kombëtar.

“Luftoi me një sëmundje të poshtër të cilin ai e mundi kur dy muaj më parë hipi në skenë me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit. Ky njeri kishte tre vjet që luftoi me sëmundjen. Aty e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për vendin dhe artin. Ai do të jetë burim frymëzimi për artistët tanë më të rinj sepse skena jonë do ta ndjejë gjatë mungesën e tij”, tha Meta.

Më tej Kreu i Shtetit shtoi se për Rexhep Çelikun ka “vetëm përjetësi dhe do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë”.