Hoti i thotë Gjuriq: Mos shpif po hajde debatojmë

16.09.2016 16:41:49

Rexhep Hoti, zv/Ministër në MInistrinë e Kulturës,Rinisë dhe Sportit, e ka ftuar në debat publik Marko Gjuriq-in, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovës. Duke I kujtuar se debate public nuk përbën shkelje kushtetuese as në Kosovë dhe Serbi, Hoti i ka kujtuar atij se shpifjet në adresë të shqiptarëve të Kosovës, nuk e ndihmojnë komunitetin serb.

Lexojeni të plotë reagimin e Rexhep Hotit

Ftesë publike për z. Marko Gjuriq

Duke komentuar ndërprerjen e punimeve në kishën te Kampusi Universitar në Prishtinë, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq për gazetën e Beogradit «Politika» ka thënë:

«Ajo që po ndodh në krahinën jugore Kosovë e Metohi, nuk ndodh me siguri askund në Evropë, ky është diskriminimi më i drejtpërdrejtë i popullit serb. A është më mirë që aty edhe më tej të tubohen narkomanët e të ndizet kisha e të shkatërrohet? Kjo është e turpshme dhe anti qytetëruese.
“Ndoshta mendoni se mund të bëni çfarë të doni e si të doni, por të jeni të sigurt se nuk do mundeni atë që krejt e doni».

Ka kohë që z. Marko Gjuriq, i titulluar drejtor i Zyrës për Kosovën, bënë deklarata popullsitë, provokuese e në raste të caktuara edhe kërcënuese.

Është e dukshme se gjatë qeverisjes së z. Isa Mustafa, politika nga Beogradi ka avancuar pro forma dhe duket të jetë më e gjallë se në mandatin e kaluar qeverisës në raport me Prishtinën zyrtare.

Natyrisht, suksesi i politikës dhe i diplomacisë së Beogradit në shumë raste ka bërë avancime cilësore përballë Prishtinës zyrtare. Fqinji ynë në disa raste ia ka dalë ta dëmtojë rëndë interesin dhe perspektivën e Republikës së Kosovës, si në raport me faktorin e brendshëm të vendit, e po ashtu edhe në raport me interesat e saj të jashtme. Goditja më e madhe ishte ajo me UNESCO-n.

Është ‘e kuptueshme’ se konsumi i brendshëm politik i Beogradit zyrtar për ballë Kosovës kërkon kujdestari të veçantë.

Por, mendoj se z. Gjuriq duhet të pushojë të avancojë edhe më tej me politika të tilla, çfarë ka proklamuar edhe me rastin ‘e pastrimit’ të Kishës Politike të kohës së pushtuesit e diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq.

E para, z. Gjuriq, duke e parë moshën dhe edukimin tuaj, e kam të vështirë të besoj se filozofia politike që ju po praktikoni do ta ndihmojë politikën e konsumit tuaj në Beograd e aq më pak besoj se do ta ndihmojë kujdesin dhe klimën për komunitetin joshumicë serb në Republikën e Kosovës;

E dyta, agresiviteti i politikës që ju shfaqni në raport me Republikën e Kosovës, deri në kërcënim, nuk po mund ta arsyetoj, në asnjë variant të mundshim, që do të mund të ishte edhe në shërbim të komunitetit joshumicë serb në Kosovë, në shërbim të Beogradit, apo në shërbim të rikthimit të “Kosovës e Metohisë”, siç thoni ju;

E treta, komuniteti joshumicë serb ka shumë probleme ende të pazgjidhura në Republikën e Kosovës e që janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për çka edhe politika zyrtare e Prishtinës është e vetëdijshme. Por, është e vërtetë dhe i pa kontestuar realiteti kushtetues i Republikës së Kosovës, i cili realitet, u garanton të drejta dhe liri më shumë komunitetit joshumicë serb në Kosovë, sesa që u garanton Kushtetuta e Republikës së Serbisë, serbëve të Serbisë. Me një fjalë, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është më serbe sesa ajo në Serbi, dhe një qytetar serb në Kosovë me të drejta e liri është më serb në Kosovë se në Serbi.

Nuk pres ta besoni publikisht këtë vlerësim. Dhe e kuptoj. Por në çfarëdo variante që ju dëshironi dhe jeni i gatshëm, ju ftoj publikisht të ballafaqohemi në një ose disa debate publike, me dëshirën time në Beogard, e ta shkoqisim bashkërisht brengën dhe brengat që keni në raport me komunitetin joshumicë serb në Kosovë dhe për më shumë sesa kaq.

Të debatojmë publikisht nuk është shkelje kushtetuese as për ju në Beograd e as për ne në Prishtinë kujtoj?!

Për rrethana tjera, që ju mund t’i keni e që nuk i di, e që ju nuk mund të përballeni në debatin eventual publik në Beograd apo ku ju dëshironi, ju kërkoj falje që ju bëjë ftesë publike për ta parë bashkërisht realitetin e të drejtave dhe të lirive për komunitetin joshumicë serb në Republikën e Kosovës, për hallet dhe problemet e tyre reale dhe, në shumicën e rasteve, edhe evidente.

Rexhep Hoti
Zëvendësministër i MKRS-së