Hoti: Kurti ka qenë në anën e gabuar të historisë, në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova

19.08.2020 21:08:33

Kryeministri Avdullah Hoti thotë se Kosovës nuk mund t’i vijë asgjë e keqe nga Shtëpia e Bardhë.

Hoti në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se agjenda e takimin në Washington do të jetë plotësisht ekonomike.

Ai ka kritikuar ashpër liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti,n në raport me deklaratat për këtë takim.

“Ma gjeni një qytetar të vetëm në krejt Kosovën që mendon se në Shtëpinë e Bardhë mund të arrihet një marrëveshje që mund të jetë e dëmshme për Kosovën. Albin Kurti e ka komplet gabim. Ai e ka pasur gabim historikisht në ngjarje të tilla. Ai ka qenë gabim nga Rambujeja, Vjena, shpallja e pavarësisë e në të gjitha proceset e rëndësishme që ka kaluar Kosova. Edhe tash Kurti është në anën e gabuar të historisë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Hoti thotë se siç ka protestuar LVV për Pakon e Ahtisaarit edhe tash e kanë të njëjtën logjikë.

“Ne si LDK, partnerët e koalicionit qeverisës por edhe një pjesë e opozitës nuk ka kësi lloj dyshime se në Shtëpinë e Bardhë mund të ketë diçka të keqe për Kosovën”, tha ndër të tjera Avdullah Hoti.