Hoti: Ky koalicion qeverisës do ta rrënojë shtetin

22.01.2018 23:54:08

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni aktual qeverisës do ta rrënojë shtetin, nëse nuk ndalet.

“Ky koalicion qeverisës do ta rrënojnë shtetin nëse nuk ndalet. Dëshiron të ikë nga drejtësia ndërkombëtare duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale. Dëshiron te ikë nga drejtësia vendore duke nxjerrë ligj për të amnistuar deputetët që kanë kryer vepra penale”, ka thënë Hoti, përmes një postimi në Facebook.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot ka vendosur që kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale ta kthejë në Qeverinë e Kosovës.

Debati rreth shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale ka ndikuar që anëtarët e kryesisë nga  Lidhja Demokratike e Kosovës ta lëshojnë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në momentin kur është hapur për debat kjo pikë e rendit të ditës.

Qeveria e Kosovës ka afat një muaj që të jap mendimin e saj në lidhje me nismën e një grupi të deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ndërkaq, me apo pa mendimin e Qeverisë, nisma e deputetëve mund të vihet në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës në një afat prej dy muajve nga data kur është iniciuar.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kjo nismë, kishte nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Kuintit në përgjithësi.