Hoti: Me FMN-në jemi pajtuar për skemën e veteranëve

18.11.2016 11:49:27

Nga java e kaluar ka qenë në vizitë Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të rishikuar zbatimin e marrëveshjes SBA që Ka Qeveria e Kosovës më këtë institucion dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm. Çështja e veteranëve të luftës ka qenë një ndër temat e diskutimit të vizitës së Misionit të FMN-së më Qeverinë e Kosovës.Sa i përket çështjes së veteranëve të luftës së UÇK-së, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se janë pajtuar me FMN-në, për hapat që do t’i ndërmarrin për të formuar skemën e veteranëve të qëndrueshme afatgjate.

“Qeveria ka aprovuar koncept dokumentin për ndryshimin e Ligjit për Veteranët e Luftës dhe do të fillojnë me amandamentimin e këtij ligji, sipas marrëveshjes me FMN-së, dhe deri në fund të këtij viti presin aprovimin e ndryshimeve të ligjit në Kuvend, pasi që aprovimi i ndryshimeve është parakusht për përmbyllje me sukses të rishikimit të dytë dhe të tretë të marrëveshjes më FMN-në”, ka thënë Hoti gjatë një konference të vizitës përmbyllëse të Misionit të FMN-së.

Ministri Hoti ka theksuar se kanë konstatuar se trendet ekonomike janë pozitive. Ekonomia në vitin që shkoi është rritur për 4.1 për qind, ndërkaq këtë vit dhe vitin që vjen pritet të sillet pak a shumë njësojë.

Fokusi i diskutimeve gjatë kësaj vizite ka qenë në dy drejtime: Rishikimi i zhvillimeve ekonomike dhe financiare gjatë këtij viti në kuadër të programit dhe përmbushja e kritereve të parapara në program; dhe dakordimi për hapat më tutje për vitin e ardhshëm.

“sa i përket zhvillimeve të këtij viti dhe përmbushjes së kritereve të programit është konfirmuar nga Misioni i FMN-së së deri më tani implementimi i programit ëshët duke ecur shumë mirë. Reformat e ndërmarra kanë siguruar një rritje prej 4.1 për qind në vitin e kaluar, ndërkaq për këtë vit dhe vitin që vjen rritja ekonomike pritet të ketë të njëjtin trend”.

“Të gjitha caqet fiskale dhe kriteret strukturore janë përmbushur me sukses. Ka filluar zbatimi i prokurimit elektronik. Ndërkaq të hyrat janë duke performuar shumë mirë dhe deri në fund të vitit pritet që të kalohet plani për të hyrat tatimore. Në fakt rritja e të hyrave tatimore është më e lartë se rritja ekonomike, që tregon se po bëjmë progres të mirë drejt zvogëlimit të ekonomisë informate dhe përmirësimit të performancës së ATK-së dhe Doganës”, ka thënë ministri Hoti.

Po ashtu ai ka thënë se shpenzimet janë duke ecur sipas planifikimeve, e që me gjithë rritjen e shpenzimeve në disa skema sociale i kanë mbajtur nën kontroll shpenzimet e tjera korente.

“Presim që vitin 2016 ta përmbyllin me sukses me një deficit të arsyeshëm brenda rregullës fiskale”, ka thënë Hoti.

Sa i përket buxhetit 2017 ai ka thënë se është i mirë dhe është mbështetur nga FMN-ja.

“Ky është buxheti më i lartë dhe më i qëndrueshëm që ka pasur Kosova deri më tani. Ky buxhet parasheh shpenzime prej mbi 2 miliardë euro, por që nuk rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore, pasi deficiti është i menaxhueshëm dhe brenda rregullës fiskale. Ka rritje të shpenzimeve prej 50 për qind dhe mundëson kryerjen e obligimeve që ka qeveria të krijuara me vite të tëra”, ka thënë Hoti.