Hoti: Provokimet e Serbisë, agjendë e zgjedhjeve presidenciale

26.01.2017 22:12:56

Rexhep Hoti, zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, ka thënë se provokimet e fundit nga shteti i Serbisë në Kosovë, janë pjesë e agjendës së politikës serbe në prag të zgjedhjeve për Presidentin.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, Hoti ka thënë se politikanët shqiptarë nuk duhet të bien pre e këtyre agjendave ku sipas tij, bën pjesë edhe Rusia.

“Këto provokime janë pjesë e një agjende që e kanë plasuar serbët edhe në rastin e zgjedhjeve të reja presidenciale. Ajo që dihet, është e dukshme, është një agjendë ruso – serbe që ka zënë tryezën tonë. Të mos biem pre e agjendave që na jep kundërshtari politik. Edhe Shqipëria edhe Kosova kurrë nuk kanë qenë në pozicione më të favorshme për t’i determinuar interesat e tyre”, ka thënë Hoti.