Hoti: Sot do ta nisim luftën për rrëzimin e Qeverisë

10.09.2017 12:53:10

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se LDK që nga sot do ta fillojë luftën për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”.

Sipas Hotit Kosova po hynë në një fazë të errët.

“Kosova sot po hyn në në fazë të errët dhe t pa qartë të konsolidimit të shtetësisë. Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve janë formuar institucionet përmes tri metodave, përmes shantazeve ndaj deputetëve, përmes pazareve politike dhe përmes përfshirjes së Beogradit… Kjo është fatkeqësi për vendin, për qytetarët”, ka deklaruar Hoti, përcjell lajmi.net

Ai ka thënë se është e pafalshme që pas tërë këtyre viteve të kthehet ndikimi i Beogradit në Qeverinë e Kosovës. “ Është e pafalshme që ndikim i Beogradit të kthehet në këtë kohë kur mbi 1600 persona janë ende të zhdukur”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se Qeveria “Mustafa” është e vetmja që i ka mbyllur rrugë korrupsionit, prandaj sipas tij, të gjithë u bënë bashkë për ta rrëzuar Qeverinë “Mustafa”, ndërsa ka paralajmëruar fillimin e luftës për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me qytetarët liridash, nisim sot luftën demokratike për rrëzimin e kësaj Qeverie… Do të përballeni me një opozitë që nuk e keni parë më përpara”, është shprehur Hoti, duke thënë se kjo Qeveri ka pesë kryeministra.

Ai më tej ka thënë se Haradinaj duhet të tregoj se çfarë iu ka premtuar Listës Serbe dhe Beogradit. Madje, Hoti ka thënë se ka fjalë se Haradinaj u ka premtuar serbëve se do ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sipas marrëveshjes së arritur në Beograd, e jo sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Hoti poashtu ka thënë se kryeministri, Ramush Haradinaj duhet të sqarojë se si do ta vazhdoj rritjen ekonomike, si do t’i mbaj raportet me BE-ne, me NATO-n, me FMN-në, me Bankën Botërore, pastaj se si do të rregulloj çështjen e veteranëve dhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.