Hoxha në Strasburg flet për të arriturat në Kosovë

25.10.2017 14:03:47

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka zhvilluar takime të ndara, me eurodeputetin Lars Adaktusson, anëtar i Grupit të Partive popullore në Parlamentin evropian, eurodeputeten Hilde Vautmans, Marijana Petir, Igor Sholtes, Ulrike Lunacek, etj, dhe në këto takime ka paraqitur të arriturat dhe sfidat në procesin integrues.

 

Hoxha theksoi të arriturat e Kosovës në procesin integrues, me theks te bashkëpunimi rajonal, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

“Vlerat e Bashkimit evropian i pranojmë si tonat, andaj, në kuadër të procesit integrues, fqinjësia e mirë, bashkëpunimi dhe komunikimi në rajon është i një rëndësie të veçantë”, ka theksuar Ministrja Hoxha dhe ka shtuar se Kosova po kontribuon që të jetë pjesë e agjendave integruese si prioritet dhe konsensus nacional.

Në njoftim thuhet se eurodeputetët theksuan se përshpejtimi i realizimit të agjendës integruese, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, realizimi i kushteve brenda këtij procesi duhet trajtuar si prioritet.

Hoxha ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në aspektin e sigurisë, duke dhënë kontribut në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit.

Vizita e ministres Hoxha, ishte e para e këtij lloji në cilësinë e Ministres së Integrimit Evropian, u zhvillua me qëllim të fuqizimit të marrëdhënieve me Parlamentin Evropian, njohjes së këtij institucioni madhor me punën dhe përkushtimin e institucioneve tona në procesin e integrimeve evropiane, për sukseset dhe sfidat e këtij procesi.