Hoxha nga Lezha: Të kthehet dënimi me vdekje, Vlahutin: Nuk lejohet

04.05.2018 20:04:11
Hoxha i xhamisë së Lezhës, Agim Terezi ka kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe ministri Xhafaj dhe ambasadorja e BE-së, Vlahutin.

“Dua të ju jap një sygjerim mjaftë të rëndësishëm, në lidhje me integrimin e Shqipërisë dhe nga kërkesat për integrimin që është dënimi me vdekje”, u shpreh Imami i xhamisë së Lezhës.

Ai këtë rekomandim e bëri duke përmendur disa raste të vrasjeve dhe duke e quajtur Shqipërinë si rast të veçantë me çfarë e arsyetoi një kërkesë të tillë që t’i lejohet nga komuniteti evropian.

Ai u shpreh se nëse rikthehet dënimi me vdekje do të mbyllen shumë plagë sociale që e kanë mbërthyer Shqipërinë. Ai duke iu drejtuar ambasadores Vlahutin u shpreh se nëse ajo e përkrah një gjë të tillë, komuniteti mysliman do të bëjë lobim në parlament që të votohet një ligj i tillë.

Ndërkohë që ambasadorja Vlahutin e dëgjoi deri në fund fjalën e hoxhës për ta kundërshtuar atë ashpër: “Ky është një sygjerim që bëhet por duhet të dini se ka disa vlera themelore, që do të thotë se jeta e çdo njeriut duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës, të cilin ne po përpiqemi shumë ta ndihmojmë të funksionoj, është diçka për të cilin ne po punojmë fort që ju ta shihni dhe t’i besoni por në asnjë mënyrë nuk ka asnjë rast “Sui Generis” që mund të pranohet dhe dënimi me vdekje është absolutisht i papranueshëm në BE”, tha ajo.