Hoxha: Sipas draftit jozyrtar, shtetet që s’i kryejnë detyrat e shtëpisë nuk anëtarësohen në BE

02.02.2018 12:47:30

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka bërë të ditur se ende Kosova nuk e ka marrë dokumentin e BE-së për strategjinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këto deklarime, Hoxha i bëri në raportimin para Komisionit për Integrime Evropiane.

Përkundër se në media kanë dalur informata se Kosova nuk është e përfshirë në këtë Strategji, Hoxha tha se të gjitha vendet do të jenë të përfshira, raporton lajmi.net

Ajo ka theksuar se në bazë të një drafti jozyrtar, nuk ka datë për asnjë shtet se kur do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Në strategjinë cila nuk është përfundimtare thuhet se gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE, por jo pa i kryer detyrat e shtëpisë”, tha Hoxha.

Ajo tregoi edhe se çfarë i kërkohet Kosovës në këtë draft.

“Specifike për Kosovën: i kërkohet bashkëpunim i plotë me Gjykatën Speciale dhe kërkohet që Kosova dhe Serbia të kenë një marrëveshje përfundimtare”, tha ministrja.

Ministrja Hoxha u pyet edhe për liberalizimin e vizave, për çka u shpreh e bindur se një gjë e tillë do të ndodhë në vitin 2018.

Anëtarët e këtij komisioni, Fitore Pacolli, Milaim Zeka e Ilir Deda theksuan se Kosova nuk ka bërë ndonjë proges në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.