Hoxhaj: E kam sfiduar Kurtin, por ai po fshihet vetëm liderët autoritar i fshehin qëllimet e tyre

17.01.2021 19:18:13

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka prezantuar sonte planin e PDK-së për rimëkëmbje ekonomike.

Ndër të tjerash, Hoxhaj tha se e ka sfiduar kundërshtarin kryesor politik, Albin Kurtin që të prezantojë edhe ai plan-programin dhe të debatojë për këtë.

“Unë e kam sfiduar kundërshtarin tonë kryesor politik, Albin Kurti, të veproj njëjtë. Të prezantojë dhe debatoj për Programin e tij me neve. Natyrisht, ai kundërshtoi. Ai po fshihet. Ai po e shmang krahasimin. Ai nuk e humbet asnjë rast për t’i injoruar qytetarët e Kosovës. Ai nuk ka respekt për demokracinë tonë. as respekt për procesin elektoral. Vetëm liderët autoritar refuzojnë debatet. Vetëm liderët autoritar i fshehin qëllimet e tyre. Vetëm liderët autoritar i marrin rezultatet e zgjedhjeve si të mirëqena para se të ndodhin ato”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje ai theksoi se vetëm liderët autoritarë refuzojnë debatin dhe e fshehin qëllimin e tyre.

“Vetëm ata i marrin rezultatet e zgjedhjeve si të mirëqena para se të ndodhin. Ai tha se nuk dëshiron të debatojë sepse i ka fituar zgjedhjet, por unë i them se në demokraci zgjedhjet vendosen nga qytetari, jo nga politikanët. Detyra jonë është të prezantojmë programin tonë , jo të flasim për rezultatet. Detyra jonë është përkushtimi ndaj qytetarëve”, shtoi ai.