Hoxhaj hap fushatën me video nga Thaçi e Veseli: Krenar t’i prijë listës që është pasqyra më e mirë e vendit tonë

03.02.2021 21:20:58

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të bërë hapjen zyrtare të fushatë elektorale të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, PDK ka zgjedhur disa nga momentet historike të Kosovës, në mesin e tyre fjalime të mbajtura më herët nga dy ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të PDK-së,  Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Pas kësaj drejtuesi i tanishëm i PDK-së si dhe kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Enver Hoxhaj deklaroi se sot nuk u drejtohet vetëm votuesve të PDK-së por të gjithë qytetarëve e posaçërisht atyre që dikur kanë votuar për PDK-në.

“Dua të na dëgjojnë të gjithë e ta dinë të vërtetën, të vërtetën se në çka besojnë apo në çfarë angazhohemi ne. Kjo ngjarje sot është moment krenarie që ti prijë një liste të tillë të kandidatëve, një listë që është pasqyra më e mirë e vendit tonë, më të mirët e të gjitha fushave. Një listë që përbën talentët e të gjitha fushave që e përbën potencialin që ka ky vend. Një listë që seriozisht synon të rimëkëmb Kosovën në çdo aspekt. Është moment krenarie për mua të jep kapiten i një ekipi  kaq të dinjitetshëm, ekip me program, me qëllim, një ekip të gatshëm për të punuar për rimëkëmbjen e Kosovës. Ekip që është rezultat i përpjekjeve tona 20 vjeçare, në krye me Hashim Thaçin e Kadri Veselin”, tha Hoxhaj, transmeton lajmi.net.

Tutje ai shtoi se është krenari për të ti prijë një liste kaq profesionale e atdhetarësh.

“Një listë me shumë ndërmarrës e inovatorë, me profesorë, mësues e studiues,të me shumë gra e burra punëtorë, një listë me shumë të rinj, lista e guximit e dinjitetit, e talentit dhe punës, e lista e vendosmërisë dhe profesionalizmit, lista e shpresës dhe besimit”, shtoi ai.