Hoxhaj i dorëzon kërkesën për njohje Madagaskarit

23.11.2016 16:09:11

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot ministren e Jashtme të Madagaskarit, Beatrice Atalla, në kuadër të Samitit të Frankofonisë që po mbahet në Madagaskar.

Hoxhaj e ka falënderuar homologen për ftesën si vend nikoqir i Samitit të Frankofonisë, ndërsa ka biseduar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet. Me këtë rast Hoxhaj i ka dorëzuar ministres Atalla edhe kërkesën zyrtare për njohje.

Pas takimit, Hoxhaj deklaroi se pret mbështetjen e Madagaskarit për Kosovën dhe se është i interesuar për bashkëpunim ndërshtetëror si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët, thueh në komunikatën e MPJ-së.

“Në ditën e parë të Samitit të Frankofonisë kam takuar 12 shtete të ndryshme, shumica e tyre vende jo njohëse dhe qëllimi kryesor ka qenë që ta bëj kërkesën zyrtare për njohje të Kosovës, si dhe t’u ofroj argumente të fuqishme se pse këto vende duhet ta njohin Republikën e Kosovës. Këto vende shtrihen në Afrikë, në Azi dhe në pjesë të tjera të botës dhe shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt do të kemi lajme të mira sa i takon njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, përcjel lajmi.net

Ndërsa ministrja Atalla e ka falënderuar Hoxhajn për vizitën si dhe dorëzimin e kërkesës për njohje nga ana e Kosovës.

“Si ministre e Punëve të Jashtme e Madagaskarit, dhe si presidente e konferencës ministrore frankofone, së pari dëshiroj të falënderoj ministrin dhe delegacionin e Kosovës për ardhjen e tyre në Madagaskar, dhe para se gjithash për dorëzimin e kërkesës në mënyrë që pavarësia e Kosovës të njihet nga Madagaskari” ka thënë Atalla.

Në agjendën intensive të Samitit, Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me homologët dhe udhëheqësit e delegacioneve nga Burkina Faso, Benini, Luksemburgu, Gaboni dhe Comoros.

Paradite Hoxhaj ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të Frankofonisë, si dhe ministrat e jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit.