Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se nuk kanë nguti për zgjedhjen e presidentit të ri dhe nuk është prioritet për PDK-në kjo çështje.
“Na jemi në një dramë dhe ajo dramë ka filluar të premten. Unë e di që pyetjet tuaja janë legjitime në kuptimin se si do të duken zgjedhja dhe kush do të jetë president. Në këtë situatë nuk kemi mundësi as nguti të mendojmë se në çfarë formë do të zgjidhet presidenti. Presim që shumica parlamentare të jetë i qartë në atë se si duhet të zgjidhet presidenti”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu tha se dëmtohet kredibiliteti i Kosovës nëse brenda Qeverisë së Kosovës partitë politike kanë qëndrime të ndryshme sa i përket procesit të dialogut.
Hoxhaj ka thënë se ky është një proces që e ka përsipër Qeveria, ndërkaq duke folur edhe për zgjedhjen e presidentit, ai tha se presin që shumica parlamentare të jetë i qartë në atë se di duhet të zgjidhet presidenti.
Këto komente i bëri ai kur u pyet gjatë konferencës, për procesin e dialogut dhe kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që dialogu me Serbinë të mos vazhdojë tani në kohën kur Gjykata Speciale ka filluar arrestimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Qëndrimi i PDK-së është i qartë. Dialogu është proces që bartet nga Qeveria. Qasja e PDK-së është që dialogu nuk duhet të jetë proces, duhet të jetë ngjarje që përfundon me njohje të ndërsjelltë. Se çfarë do të bëjnë kolegët që janë në Qeveri ju takon atyre të koordinojnë, por e dëmton shumë kredibilitetin e Kosovës, nëse një parti politike në Qeveri thotë kështu për dialogun, ndërsa një tjetër parti të ketë tjetër qëndrim për dialogun”, tha Hoxhaj.








































