Humb jetën 70-vjeçari nga COVID-19, shkon në 56 numri i të vdekurve në Shqipëri

28.06.2020 17:53:43

Rritet numri i viktimave nga pandemia globale e COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë me një njoftim publik, thotë se një pacient 70-vjeçar nga Shkodra, i cili ndodhej në terapi intensive nuk ka arritur të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve maksimale të bluzave të bardha.

Siç thekon ministria, pacienti 70-vjeçar vuante nga diabeti dhe ishte i shtruar prej disa ditësh në gjendje të rëndë në Spitalin Infetkiv pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Nga fillimi i epidemisë, 56 qytetarë të konfirmuar me COVID-19 e kanë humbur betejën me sëmundjen. Autoritete shëndetësorë ftojnë qytetarët të tregojnë kujdes, të ruajnë distancën dhe të respektojnë masat higjieno-sanitare, me qëllim frenimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë.

Gjatë komunikimit të përditshëm me publikun, Task-Forca njoftoi se në 24 orët e fundit në Shqipëri janë testuar 374 raste të dyshuara, ndërkaq 72 prej tyre rezultuan pozitivë.