Humbjet e ujit në rajonin e Prizrenit shkojnë deri në 58%

31.07.2018 13:36:03
Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë kërkuar shpjegim nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Prizren për humbjet e mëdha në rrjetin e ujit, ndërsa kanë ngrehur alarmin për faturimin paushall.

Gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit për Kompaninë “Hidrogjeni Jugor”, deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka kërkuar sqarim për humbjet e ujit në rajonin e Prizrenit, që, sipas tij, shkojnë deri në 58%, raporton Ekonomia Online.

Në funksion të zgjidhjes së çështjes, auditori i brendshëm, Ymridin Syljemani, ka paraqitur strategjinë që mendohet se do të zvogëlojë humbjet në ujë.

“Çdo kompani ballafaqohet me probleme të humbjes së ujit, është përgatitur një strategji që në nivel shtetëror të merren masat faza e parë është për vitet 2018-20 dhe 2020-22 që do ndërmerren hapat në lidhje me zvogëlim të humbjes së ujit”, shtoi Sylejmani.

“Kemi pasur investime ne sistemin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, por fokusi i donatorëve ka qenë ne zgjerimin e rrjetit nëpër zona rurale dhe ka pasur mjete financiare të mjaftueshme gjatë vitit”, shtoi Sylejmani.

Sylejmani tha se ligji i prokurimit, sipas auditorëve, është duke u proceduar në përpikëri.

Ai foli edhe për detyrimet që ka kompania, të cilat është e pamundur të mbulohen nga mjetet e donatorëve, për shkak se janë të orientuara në projekte tjera.

“Detyrimet qe i kemi ne nuk mund t’i përdorim nga mjetet e donatoreve sepse ato janë të caktuara për projektet që lidhen me  impiantin e ujërave të zeza”, shtoi Sylejmani.

Sylejmani, në përgjigjen e pyetjes së anëtarit të komisionit, Ali Lajqi, në lidhje me implementimin e rekomandimeve, tha se, ato që janë bërë nga ana e auditorit, kompania i ka implementuar pothuajse te gjitha.

“Sa i përket çështjes së rekomandimeve, kompania nga 17 apo 18 rekomandime që figurojnë në raport financiar,  shumica prej tyre janë zbatuar”, shtoi Sylejmani.

Në fund të mbledhjes  u votua edhe për shqyrtimin e Raportit të Auditimit të Komunave për vitin 2017, raporton Ekonomia Online.