Analisti amerikan dhe profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, i është drejtuar presidentit të Kosovës përmes një letre të publikuar në peacefare.
Në letër, Serwer ka thënë se është plotësisht “simpatizues” ndaj ambicieve euro-atlantike të Kosovës dhe vazhdimisht ka bërë përpjekje për këtë qëllim.
Por, siç ka shkruar më tej Serwer, përcjell Telegrafi, nuk është e mençur të besosh që Uashingtoni i kushton “vëmendje të plotë” dialogut Kosovë-Serbi, i cili sipas tij, ka qenë një proces krejtësisht i errët.
Madje, sipas tij, “pak në Washington madje e dinë që po ndodh, dhe më pak brengosen për këtë”.
“Kjo pavëmendje u ka dhënë mundësinë lobistëve të angazhuar nga Beogradi të ndikojnë në një administratë që kujdeset pak për Ballkanin dhe aspak për Kosovën, të cilën e konsideron si produkt të Administratës së përçmuar të Clintonit. Më keq se pavëmendja amerikane dhe paragjykimi pro-serb është se populli i Kosovës dhe i Serbisë nuk dinë asgjë për atë që po diskutohet në takimet tuaja të përsëritura me presidentin (Aleksandar) Vuçiq”, ka shkruar Serwer.
Ndërsa, duke folur për një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi, Serwer ka thënë se shumica e qytetarëve në Kosovë duan një marrëveshje me Serbinë që e njeh shtetin e Kosovës si sovran dhe të pavarur brenda kufijve të saj aktual dhe i lejon asaj të hyjë në Kombet e Bashkuara.
Por kjo, sipas tij, nuk është në ofertë akoma.
“Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe në mënyrë që të marrë një të mirë, në kohën e duhur dhe me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së. Deri atëherë, përmirësimet në rritje janë gjithçka që mund të shpresohet. Arti i qeverisjes kërkon që të inkurajoni qytetarët tuaj të jenë të durueshëm. Gjëra të mira vijnë për ata që mund të presin”, ka shkruar ndër tjerash Serwer, përcjell Telegrafi.
Presidenti i Kosovës Thaçi iu përgjigj postimit të Shaun Byrnes në Peacefare.net që nga e shtuna me këto postime në Twitter:
Hashim Thaçi@HashimThaciRKS• Mar 13 I zhgënjyer kur shoh miqtë e Kosovës dhe të mi Daniel Serwer & Byrnes duke u mashtruar nga lajmet e rreme. Nuk ka asnjë marrëveshje sekrete apo çfarëdo që të jetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një e tillë mund të arrihet përmes një procesi transparent me lidershipin amerikan dhe ju ftoj të ndihmoni. Richard Grenell është duke bërë një punë të shkëlqyeshme
Hashim Thaçi@HashimThaciRKS•Mar 13 Uashingtoni ka vëmendje të plotë në dialogun Kosovë-Serbi. Është barra e brezit tonë për t’i dhënë fund konfliktit dhe hapjes së rrugës për integrimin euro-atlantik dhe prosperitetin ekonomik. Ne kemi nevojë për mbështetje për këtë proces, jo pengesa, as kundërshtime. Ka të bëjë me fëmijët tanë.