I goditur rëndë nga pandemia, Brazili kalon 1 milionë raste infektimi

20.06.2020 08:00:59

Brazili u bë vendi i dytë në botë që konfirmon më shumë se një milion raste të Covid-19, teksa sëmundja atje vazhdon të përhapet pa fre. Ministria e shëndetësisë publikoi një numër rekord të rasteve të reja në 24 orët e kaluara – më shumë se 54,000.

Për më tepër, pati më shumë se 1.200 vdekje për të katërtën ditë radhazi, duke e çuar totalin e jetëve të humbura në afro 49,000. Ç`është më e keqja, mungesa e testimeve lë të kuptohet se shifrat e vërteta janë edhe më të larta dhe ekspertët thonë se shpërthimi I sëmundjes është disa javë larg nga kulmi i tij.

Shifrat e fundit nga vendi I goditur rëndë u shpallën disa orë pasi  Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) paralajmëroi se pandemia e koronavirusit po hynte në një fazë “të re dhe të rrezikshme”, me drejtorin e saj të përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus që paralajmëroi se rastet po rriteshin ndjeshëm në të njëjtën kohë kur njerëzit po lodhen prej bllokimeve dhe qeveritë po kërkojnë të rindezin motorët e ekonomive të tyre. Brazili gjithashtu po tenton të relaksojë masat dhe të rihapë bizneset, por sëmundja atje sakaq po kthehet në një katastrofë të vërtetë shëndetësore.