Ibishi kërkon reciprocitet deri në lirimin e Thaçit (Video)

05.10.2016 23:17:48

Njohësi i rrethanave të sigurisë, njëherësh edhe deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, duke komentuar arrestimin e drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, nga autoritetet serbe, mendon se është koha që Kosova të vendos masa reciprociteti.

“Unë mendoj që më mirë është të merren masa të reciprocitetit, jo në kuptimin e një kundërvënie apo një revanshizmi në këtë aspekt, mirëpo të vijnë paralajmërimet e autoriteteve tona që do të ndalojnë zyrtarët serbë”, ka thënë Ibishi në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.

Ai thotë se Kosova duhet të jetë këmbëngulëse në veprimet e saj, sikurse Serbia që po bën në vazhdimësi ndaj nesh.

“Nëse ata vazhdojnë të sillën në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet t’ua kthejmë në të njëjtën formë”, ka thënë Ibishi, duke shtuar se pasi që të ndërmerren masat e reciprocitetit, tani disiplinohet Serbia.

Ai ka kërkuar nga Serbia amnisti për të gjithë ish pjesëtarët e UÇK-së dhe ky veprim sipas tij do të ishte roli vendimtar i Brukselit dhe SHBA-ve.