Idea e Vuçiqit për Kosovën, tërheqje nga miti, tha Shutanovac

11.08.2017 16:22:07

Kryetari i Partisë Demokratike serbe, Dragan Shutanovac, mendon se kryetari e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “në mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes Perëndimit dhe Lindjes, mitit dhe realitetit” dhe vendimet e caktuara i merr në “varësi të disponimit se me kë bisedon”.

Lidhur me ftesën e Vuçiqit për dialogun për Kosovën, Shutanovac në FoNet vlerëson si një lloj tërheqja nga miti dhe se qëllimi i kryetarit Vuçiq ishte të hapte temën për Kosovën menjëherë nga kthimi i tij nga SHBA.

“Është mëse e qartë se ai ka marrë sugjerimet se tani është koha e fundit të realizojë ato që ka premtuar”, theksoi Shutanovac, transmeton RTK.

“Në anën tjetër”, vlerëson Shutanovac, “Vuçiq ka nevojë të kënaq një pjesë të votuesve të vet dhe egon e tij, që të mos përsëriten tema nacionale për njëfarë të ardhme nacionale, apo shpëtimit kombëtar”.

Shutanovac tutje potencoi se deklaratat për ruajtjen kombit serb, në kontekst të politikës ditore, është në funksion të shmangies nga orientimi për zhvillim ekonomik të vendit.

“Nuk ka dilemë se Vuçiq zbaton një politikë tjetër me ndërkombëtarët e tjetër brenda Serbisë”, shtoi Shutanovac.

Ndërkaq, porosinë e Millorad Dodikut për unifikimin e të gjithë serbëve, Shutanovac e vlerëson si ide e modifikuar e Millosheviqit, i cili thoshte se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet.

“Kjo porosi si e Dodikut ka çuar në trazira që kanë thyer qafën, së pari serbët”, ndërkohë që si alternativë të idesë së Dodikut ai thotë se serbët duhet të bashkohen në tregun e përbashkët, ekonomi të zhvilluar dhe në përmirësimin e marrëdhëniee me fqinjët.