Identifikohet hajni i patave, druve, armaturës…

02.08.2016 10:34:42

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjetur në fshatin Velezhë të Prizrenit disa gjësende që një person nga Mamusha kishte vjedhur nëpër vende të ndryshme tash e një kohë.

Në një njoftim të policisë rajonale të Prizrenit thuhet se të gjitha këto gjësende u janë kthyer pronarëve sepse ishin të raportuara në polici si të vjedhura.

Lexoni njoftimin e plotë të policisë:

Rreth orës 07:10 minuta, një qytetar nga Mamusha ka informuar policinë se gjatë orëve të natës nga ferma e tij e shpezëve ishin vjedhur 80 pata.  Pas pranimit të informatës, hetues policorë kanë nisur me hetimin e rastit. Gjurmët e rastit kishin quar hetuesit në drejtim të fshatit Velezhë. Pranë shtëpive të para hetuesit kishin dëgjuar kukurisjen e shpendëve, shenjë kjo e cila i kishte përforcuar dyshimet se kryerësi mund të ishte aty pran. Pas konsultimit me prokurorin e shtetit është marrë pëlqimi për kontroll të oborrit ku dëgjohej kukurisja. I dyshuari P. Përlazëri, në ato momente kishte qenë në oborr dhe posa e kishe vërejtur policinë, përmes një dritareje të stallës nga ana e kundër e oborrit ka ikur në drejtim të panjohur. Gjatë kontrollit, në prani të një anëtari të familjes, janë gjetur edhe disa gjësende tjera të cilat dyshohen sa janë vjedhur në fshatrat e rajonit.

Janë gjetur: 70 pata (dhjetë dyshohet të kenë ikur në natyrë); dy goma për kamion tipi Langvigator; dymbëdhjetë goma për rimorkio të kamionit të tipit Transtong; një fuqi me 200 litra naftë; dymbëdhjetë bidonë plastik të zbrazët për karburant; nëntë bidonë plastik 25 litërsh të mbushur me naftë; mjet bujqësor frezë; pompë për ujitje; 19 gypa alumini për ujitje; najlon i serrave; fije të armaturës dhe 18m kub dru për ngrohje.

Ndërkaq një sasi e druve  për ngrohje prej 18m kub janë gjetur tek fqinji i tij me mbiemër Domgjoni.

Të gjitha këto gjësende u janë kthyer pronarëve sepse ishin të raportuara në polici si të vjedhura. Policia po punon për verifikimin e prejardhjes edhe të disa mjeteve tjera bujqësore që ndodhen në oborrin e të dyshuarit.