Ilir Meta i thotë të gjitha: Këshilltarët nuk i pyes për “dashurinë” time të re

02.11.2019 11:14:09

Presidenti Ilir Meta shpreh bindjen se Komisioni Hetimor për shkarkimin e tij nuk do ta arrijë një gjë të tillë. Përkundrazi ai mendon se do të jetë në krye të detyrës deri në 24 korrik të vitit 2022.  Në një intervistë për gazetën “Mapo”, e shpërndarë edhe nga zyra e shtypit e Presidencës, Ilir Meta shpreh të gjitha pikëpamjet e tij për opozitën, Reformën në Drejtësi, postimet e tij në facebook, por edhe një dashuri për macen, apo ekipin e tij të futbollit.

“Çdo akt dhe çdo dekret ka qenë i mbështetur qartësisht në parimet kushtetuese dhe ligjore, argumentet kanë qenë shteruese, dhe janë bërë publike” – thotë Meta, teksa komenton të gjitha ligjet që nuk janë dekretuar prej tij. Presidenti shton se të gjitha ligjet në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve shqiptarë janë konfirmuar nga Presidenti i Republikës me përgjegjësinë më të plotë.

I pyetur për qëndrimet e tij për zgjidhjen e situatës dhe përplasjet me qeverinë, Meta shpjegon se “të gjitha mesazhet e Presidentit, që nga dita e parë e bërjes së betimit me dorë mbi Kushtetutë, e deri më tani, kanë qenë në shërbim të stabilitetit të vendit, përmbushjes së reformave kyçe, përparimit në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, si edhe të dekurajimit të konflikteve artificiale dhe absurde mes palëve, si një sport kolektiv politik i politikës shqiptare ku askush nuk mban përgjegjësi për veprimet që bën”.

“Nuk është detyra e Presidentit të krijojë tensione, as me qeverinë, as me opozitën dhe as me një faktor tjetër. Përkundrazi është kryedetyra e Presidentit t’i qëndrojë me përpikmëri betimit të tij për të mbrojtur Kushtetutën dhe interesin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Përpjekjet e Presidentit kanë qenë gjithnjë për të mos lejuar cënimin e Kushtetutës dhe interesave të popullit shqiptar. Presidenti gjithmonë ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese” – thotë kreu i shtetit.

Por, Meta ka edhe një qëndrim për atë që ka bërë përmes rrjeteve sociale, duke postuar foto me mace, qen, apo artistë e gazetë, apo edhe foto të zhveshura.

“Asnjëherë mos prisni nga unë që në sezonin e plazhit të shëtis buzë detit me kostum e kollare, për t’u dukur si shtetar. Në jetën e përditshme dhe në kohën e lirë jam i thjeshtë si të gjithë qytetarët e tjerë. Sjelljen prej shtetari e tregoj përmes detyrës që kryej”. Kënaqësi për mua që në kohën e lirë të shoqërohem me aktorë humori dhe artistë, gazetarë dhe sportistë, por dhe njerëz të thjeshtë kudo në bregdet dhe sidomos në malet e Shqipërisë. Megjithatë kam qenë modest në postimet e mia pasi po të shikoni postimet e shumë figurave të tjera dhe Presidentëve të ndryshëm të botës, do ju binte të fikët” – pohon Ilir Meta.

Më tej Meta ka edhe një mesazh për këshilltarët e tij. “Kam këshilltarë dhe njerëz të afërt, të cilëve u marr mendime për çështje të ndryshme në raport me punën dhe përgjegjësitë që ka institucioni i Presidentit të Republikës, por pa u lejuar të më ndërhyjnë në raportet e mia me macen time të dashur Sasha apo në “dashurinë” time më të fundit Celtic FC”.