Ilir Meta pret Bashën dhe Ramën, shkon në presidencë që në 5 të mëngjesit

27.06.2019 08:46:32

Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka nisur lëvizjet dhe po përpiqet të ulë në tryezë mazhorancën dhe opozitën. Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të zhvillojë sot një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ambientet e Presidencës duke nisur nga ora 09:00.

Mbrëmjen e djeshme, Kreu i Shteti iu drejtua me një letër edhe kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkoi takim me qëllim tejkalimin e krizës politike, por shefi i qeverisë mohoi në formë kategorike ftesën e kreut të Shtetit, Ilir Meta me arsyetimin se është i zënë me fushatën elektorale të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka pranuar menjëherë ftesën e te parit të Republikës, ndërsa lajmi u konfirmua të mërkurën në mbrëmje nga zëdhënëse i Presidentit, Tedi Blushi. Takimi Meta-Basha pritet të mbahet më ambientet e Presidencës duke nisur nga ora nëntë.

Kriza dhe mungesa e dialogut ka shqetësuar prej kohësh kreun e Shtetit, i cili nuk ka reshtur së kërkuari për palët që të ulen në tryezë dhe të gjejnë zgjidhje për evitimin e kësaj krize. Gjithsesi presidenca  me një reagim të dytë, ditën e djeshme, sqaroi se është e gatshme të presë kryeministrin deri sa ky i fundit të gjejë kohën e nevojshme për t’u paraqitur në ambientet e Presidencës.

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka shkuar në ambientet e presidencës që në orën 05:00 të mëngjesit, duke i qëndruar besnik orarit, ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe në letrën dërguar dje kryeministrit Edi Rama.