Ilir Meta: Qëndrimi im është për dialog, i gatshëm të takoj Bashën

07.04.2017 09:42:31

Kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë një intervistë të dhënë në emisionin “Arena”, tha se do t’i t’i japë fund gjithë dyzimeve dhe interpretimeve të deritanishme që i janë bërë deklaratave të tij. Meta ka folur për deklaratat e tija të bëra disa ditë më parë në lidhje me krijimin e qeverisë së besimit dhe se nuk ka zgjedhje pa opozitën.

Sipas shefit të LSI-së, klima e vështirë politike në vend nuk është se ka filluar me çadrën, por ka qenë vazhdimisht. Sipas tij, situata është bërë pak më problematike pas vendosjes së çadrës, në një vend shumë simbolik, mes qeverisë dhe parlamentit, poshtë zyrës së kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit.

“Për të gjithë ata që janë habitur me qëndrimin e LSI kujtoj se qëndrimi im ka qenë për dialog, me qëllim rikthimin e opozitës në Parlament, me qëllim vazhdimin e reformave, sidomos asaj të drejtësisë dhe zgjedhore që është kusht për zgjedhjet e ardhshme dhe për të arritur një mirëkuptim që jep garanci që opozita të marrë pjesë në këto procese që janë vendimtare për integrimin europian të vendit dhe qëndrimi i LSI dhe i imi ka qenë për dialog për të krijuar kushtet e një mirëkuptimi, mirëbesimi që çonte në një dialog real dhe jo fals, sepse kemi të bëjmë me çështje që i takojnë shqiptarëve.

Zgjedhjet nuk janë pronë e partive, por e çdo qytetari shqiptar që ka mundësinë që një herë në 4 vjet të vendosë për të ardhmen e tij. Është përgjegjësi e mazhorancës që të tregojë gatishmëri për zgjedhje të lira dhe legjitimitetin e pushtetit të saj në të ardhmen. Qëndrimi i ynë ka ardhur në një moment kur duhet dhënë koha të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje përpara se të skadojnë afatet sepse edhe LSI duhet të mbajë një qëndrim”, tha Meta.