Inspektorati Policor i Kosovës arreston tre të dyshuar për lëndim të lehtë trupor, në mesin e tyre edhe një polic

07.10.2020 20:58:38

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së, ka njoftuar se kanë arrestuar sot tre të dyshuar (një zyrtar policor, një zyrtar të shërbimit korrektues dhe një qytetar) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”në bashkëkryerje.

Në njoftim thuhet se hetuesit kishin pranuar informacione për këtë rast përmes një ankese të adresuar në Inspektoratin Policor lidhur me dyshimin së një zyrtar policor, një zyrtar i shërbimit korrektues dhe një qytetar kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor duke ju referuar një incidenti që kishte ndodhur më 5 tetor 2020 në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë

Lidhur me këtë incident ishte hapur rast edhe në Policinë e Kosovës i cili pastaj bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së i ishte dorëzuar hetuesve të IPK-së.

“Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur rastit duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe tre të dyshuarve në këtë rast me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.