Avokati i Popullit ka nisur punën për vënien në zbatim të Reformës në Drejtësi në përputhje me kompetencat që parashikon ligji në këtë drejtim,me transparencë të plotë mbi atë pjesë të procesit, për të cilën ngarkohet.
Për këtë qëllim, të gjitha informacionet që lidhen me kandidimet, por edhe korrespondencat me institucionet e tjera të përfshira në procesin e vënies në zbatim të Reformës në Drejtësi do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit www.avokatipopullit.gov.al në një hapësirë të posacme të titulluar Reforma në Drejtësi
Pas shpalljes së vendeve vakante nga Kuvendi i Shqipërisë për Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve dhe të shoqërisë civile, si dhe për Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve dhe të shoqërisë civile, zyra e Avokatit të Popullit mirëpret aplikuesit çdo ditë nga e hëna në të premte nga ora 08.30 – 16:30.
AP ka ftuar të gjithë të interesuarit të plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj, që brenda datës 28 janar 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.






































