Institucionet kërkojnë pagesa edhe për rastet sociale që jetojnë në barakë

06.08.2016 13:48:08

Gjendja e vështir e familjes Selmani, sëmundja e kryefamiljarit dhe djalit të kësaj familje, e ‘detyrojnë’ zonjën e shtëpisë që të dali para mëngjesit e të kthehet natën vonë, duke kërkuar të sigurojë kafshatën e gojës.Makfire Selmani, e zonja e shtëpisë, rrëfen për gjendjen e jashtëzakonshme të familjes së saj.

Ajo tregon se sa e vështir është te jesh “vetë burrë dhe vetë grua”, pasi që tash e disa muaj  burri saj është i shtrirë në spital, e djali i shtrirë në shtëpi duke luftuar me sëmundjen e  kancerit. Përveç brengave të familjes, ajo problem e ka edhe vendin ku jeton ngase tash e disa herë zyrtar të institucioneve u kanë kërkuar që të paguajnë për vendin ku jetojnë.

Makfirja brengoset edhe për djalin tjetër që në moshën 14 vjeçare është i sëmurë nga sytë dhe ka pasur 4 aksidente, dhe i cili nuk është në gjendje për ta vazhduar shkollimin.

Ajo  tregon se kërkesat e tyre drejt institucioneve kanë qenë të vazhdueshme, por që këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër, siç thotë ajo, ngase sot e 25 vite ata po përballen me jetë mjaftë të vështirë. Zonja Makfire Selmani është mjaftë e shqetësuar edhe me institucionet përkatëse, të cilës i kërkojnë të paguaj qira për barakën të cilën ajo e quan shtëpi.

Makfirja përshkruan barakën të cilën thotë se gjatë dimrit është shumë e ftoftë, e në verë është shumë e nxehtë. Ajo thotë se gjatë kohës me shi baraka e tyre ngjason me një pishinë plot me ujë. Zonja e familjes Selmani u bënë thirrje të gjithë atyre që e shohin këtë artikull të kenë mëshirë dhe të ndihmojnë atë të paktën me një shtëpi një dhomëshe.