Inter, me mision në Madrid; synon James Rodriguez

25.02.2017 12:24:44

Ende ka shpresë për të arritur vendin e tretë, i vlefshëm për eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Pronarët e rinj të Interit vazhdojnë të punojë për të ardhmen. Siç është raportuar nga “Corriere dello Sport”, të premten Zhang Jindong, këshilltari i Liu Jun, u nis për në Madrid, për t’u takuar me udhëheqësit e Atletico Madrid dhe Real Madrid. Ky takim do të ofrojë një mundësi për të folur për herë të parë me Presidentin e La Liga-s, Javier Tebas, mbi të drejtat  televizive, por edhe për të hedhur themelet për merkaton e rëndësishme të verës.

Nuk është mister që udhëheqja zikaltër, gjithashtu, u përpoq në janar të bënte goditje. U vendosën rreth 80 milionë euro në dispozicion, teksa ëndrra marramendëse ishte dhe mbetet “playmaker”-i i Real Madridit, kolumbiani James Rodriguez. Në suksesin e marrëveshjes, me siguri peshon vullneti i futbollistit, që ndien keqardhje pse në Madrid nuk i është dhënë hapësira e duhur deri më tani nga Zinedine Zidane. Në sezonin 2017-2018, në prag të Kupës së Botës në Rusi, ish-lojtari i Monaco nuk mund ta përballojë këtë situatë, të luajturin kaq pak. Pas largimit të Jovetiç, në “Appiano Gentile” ka nevojë për të ricaktuar numrin 10.

Përveç Rodriguez, në shënjestër janë edhe Bernardeschi, Berardi dhe, gjithashtu, Verratti, pavarësisht se për këtë të fundit konsiderohet praktikisht e pamundur, në këtë moment, të merret nga PSG-ja. Kapitulli “Simeone”? Pioli i është përgjigjur në mënyrën më të mirë thirrjes së klubit, por drejtuesit zikaltër nuk mund ta mohojnë se “El Cholo” mbetet ende një synim për të ardhmen e klubit. Dhe, në këtë kuptim, turneu spanjoll me siguri do të jetë një mundësi për të pasur një bisedë…