Interesim i madh për regjistrim në UP

10.07.2017 16:31:35

Sot është hapur konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës. Studentët kishin mbushur korridoret e fakulteteve për të pritur në radhë deri në kohën e dorëzimit të dokumenteve

Një prej kandidatëve të shumtë të cilët po synojnë të pranohen në Fakultetin Filozofik është edhe Diellza Stullca. Ajo ka thënë për Ekonomia Online se beson që drejtimi që ka zgjedhur ka perspektivë në të ardhmen.

“Unë pasi e kam përfunduar shkollën e mesme kam ardhur të regjistrohem në Fakultetin Filozofik, departamenti Psikologji. Duke parë që Kosova ka nevojë për psikolog dhe duke e pas dëshirë si e vogël kam vendosur të studioj psikologjinë dhe shpresoj të më realizohet kjo dëshirë”, tha Stullca.

Ndërsa, Fatvera Jonuzaj ka vendosur që studimet t`i vazhdojë në departamentin e Historisë.

“Arsyeja pse kam zgjedhur historinë është se është një lëndë e rëndësishme për mu. Gjithmonë prej kur kam qenë fëmijë e kom dashur. Më kanë tërhequr luftërat,vuajtjet, sakrificat që i kanë bërë populli shqiptar për me ardhur deri të kjo pavarësi që ne po e gëzojmë sot”, tha Jonuzaj.

Numri i studentëve që do të pranohen në shtatë universitetet publike të vendit për vitin akademik 2017/2018 është 15.255, ndërsa shtesë e këtij numri do të jetë edhe kuota prej 12 për qind për studentët e komuniteteve jo shumicë dhe në disa universitete do të ketë edhe kuota për kandidatët e viseve tjera shqiptare (Shqipëri, Luginë e Preshevës, Maqedoni, Mal i Zi), si dhe për familjarë të ngushtë të dëshmorëve të Kosovës.

Vetëm në Fakultetin e Filologjisë do të pranohen 697 studentë. Dekanja e këtij fakulteti, Lindita Rugova tha për Ekonomia Online se ka bërë të gjitha përgatitjet për pranimin e studentëve të rinj.

Madje ajo është kujdesur që një pjesë të studentëve t`i sistemojë edhe në amfiteatrin e këtij fakulteti në mënyrë që t`ia bëjë më të lehtë pritjen për regjistrim studentëve të rinj.

“Për shkak të numrit të vogël të administratës që e kemi në fakultet nuk po mundemi qind për qind t`i plotësojmë të gjitha kushtet e pranimit në kuptimin që të kemi më shumë njerëz t`i pranojnë dokumentacionin më shpejt, e tërë procedura të shkojë shpejt. Mirëpo, edhe me stafin që e kam, kemi bërë përgatitjet e duhura që gjithçka të shkoj mirë”, tha Rugova.

Konkursi për pranimin e studentëve është hapur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ditën e premte, mirëpo fakultetet kanë filluar me pranimin e studentëve nga sot.

Zvarritjet e hapjes së këtij konkursit kanë ndodhur për shkak të mos koordinimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Senatit të Universitetit të Prishtinës.