Isa Mustafa: Hoti është personalitet i shquar, i ditur, i matur dhe i sprovuar

12.02.2021 20:07:08

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në përmbyllje të fushatës zgjedhore tha të premten se kandidati ynë për kryeministër, Avdullah Hoti është personalitet i shquar, i ditur, i matur dhe i sprovuar në detyrat më të rëndësishme shtetërore.

“Si kryetar i LDK-së jam i bindur se juve, qytetarëve të respektuar, ua kemi ofruar një kandidat të ditur, të pjekur dhe të sprovuar për Kryeministër, z. Avdullah Hoti. Ua kemi propozuar listën me kandidatë për deputetë, që meritojnë respektin, përkrahjen dhe votën tuaj”, tha Mustafa.

Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet besnike ndaj vlerave të saj, të cilat janë vlera evropiane, që i ndajmë dhe i kultivojmë në familjen e Partive Popullore Evropiane.

“Për ne, vlerë mbi vlerat është shteti ynë. Republika e Kosovës, shtet i demokracisë perëndimore që kultivon partneritet me BE-në dhe miqësi të përhershme me SHBA-të. Shteti është mbi të gjitha! Për Lidhje demokratike të Kosovës, vlerë e veçantë është familja, integriteti i saj, kujdesi, edukimi, ardhmëria e fëmijëve; perspektiva e të rinjëve”, tha kryetari i LDK-së.

Sipas tij, besimi në zot është fundamenti yni si parti konzervatore; besimi në zot na bënë që të besojmë në njëri-tjetrin të kemi harmoni dhe solidaritet, të ndajmë fatin e përbashkët.