Isa Mustafa: LDK dhe Muharrem Svarqa, paraqesin zgjidhjen më serioze për të ardhmen më të mirë të komunës së Ferizajt!

25.09.2017 23:25:05

LDK ua paraqiti ofertën zgjdhore banorëve të Komogllavës
Qindra banorë të Komogllavës së Ferizajt, patën rastin sonte të dëgjojnë ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kandidatit për kryetar të Ferizajt Muharrem Svarqa. Në tubim morën pjesë kryetari i L DK-së Isa Mustafa dhe zyrtarë të lartë të kësaj partie si Anton Çuni e Lumir Abdixhiku.
Duke e paraqitur ofertën zgjedhore para zgjedhësve të Komogllavës, kandidati për kryetar të Ferizajt, veçoi disa nga sukseset e arritura të qeverisë komunale të udhëhequr prej tij, gjatë katër viteve të fundit. Ai theksoi ndërtimin e shkollës së re dhe të ambulancës në Komogllavë, si dhe çerdhen e fëmijëve që pritet të ndërtohet në këtë fshat, infrastrukturën rrugore, e cila e lidh mirë Komogllavën me vendbanimet tjera përreth dhe me qendrat komunale të rajonit. Svarqa tha se para katër vitesh, komuna e Ferizajt kishte 7 mijë biznese, kurse sot ka rreth 12 mijë; bizneset e Ferizajt para katër vitesh i jepnin kontribut buxhetit të Kosovës 120 milionë euro, kurse sot kjo shumë shkon në 360 milionë, gjë që tregon një zhvillim të hovshëm ekonomik, që e ka bërë komunën e Ferizajt joshëse edhe për banorët e komunave të tjera; janë përmirësuar kushtet e të bërit biznes; janë ndërtuar mbi 400 kilometra rrugë; janë ndërtuar mbi 100 km rrjete ujësjellësish, mbi 80 km rrjete kanalizimesh, ndërsa është përmirësuar ndjeshëm standardi i ndërtimit të rrugëve me gjerësi 6 metra dhe me infrastrukturë përcjellëse; janë zgjeruar hapësirat shkollore duke ndërtuar shkolla të reja, është ngritur cilësia në arsim, duke futur frymën garuese në të gjitha nivelet e shkollimit; në sferën e shëndetësisë janë ndërtuar ambulanca të reja, për t’ua afruar qytetarëve shërbimet shëndetësore më afër, është krijuar shërbimi emergjent dhe është vënë kujdestaria 24 orëshe e stafit mjekësor në dy qendra mjekësore, si dhe janë avancuar shërbimet nëpër shtëpitë e banorëve.
Nga fushën e bujqësisë kryetari i LDK-së së Ferizajt veçoi subvencionimet e shumta të bujqve, por tha se duhet fokusuar në ruajtjen frutave dhe produkteve bujqësore.
“Ne jemi komuna e parë në Kosovë që për investime kapitale e kemi hequr participimin e banorëve. Kemi siguruar ushqimet cilësore për 11 mijë nxënësit tanë nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa në mandatin e dytë do ta sigurojmë deri në klasën enëntë, si përpjekje për të ndihmuar shtresat e varfra të popullatës. Kemi heque shpenzimet e varrimit, në mënyrë që qytetarët të mos preokupohen me këtë çështje në ditë zije.
Ne jemi të vetmit jo vetëm në Kosovë që subvencionojmë kreditë e bujqve, meqë Kosovës i mungon një agrobankë. Kemi futur në qarkullim rreth 5 milionë euro për këtë qëllim, dy milionë prej të cilëve tashmë janë në dorën e bujqve”, theksoi Svarqa.
Ai foli për përmirësimin e shërbimeve në ofiqaritë e Ferizajt, duke shkurtuar në maksimun pritjet e qytetarëve për dokumente.
Lidhur me investimet e ardhshme, kryetari i LDK-së së Ferizajt dhe kandidati për kryetar komune nga kjo parti, Muharrem Svarqa, tha se me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, do të realizohen projekte të mëdha, si fabrika e ujit në Talinoc të Muhaxherëve, e cila do ta zgjidh problemin e ujit edhe për fshatrat Drdani, Sojevë e Zllatar; do të ngriten kapacitete për trajtimin e ujërave të zeza, do të zgjidhet çështja e hekurudhës dhe e ndërtimit të spitalit rajonal. Ai kërkoi përkrahjen e banorëve të Komogllavës dhe të ferizajsve, në mënyrë këto planifikime madhore të realizohen.

Votën për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe për kandidatin e saj për kryetar komune, ferizajasve dhe banorëve të Komogllavës ua kërkoi edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Ai tha se e nuk është punë e lehtë të jesh kryeministër, me Muharrem Svarqën si kryetar komune, për shkak të këmbënguljes së këtij të fundit për të marrë projekte zhvillimore nga qeveria për komunën e Ferizajt. Z. Mustafa u tha banorëve të Komogllavës se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Muharrem Svarqa, paraqesin zgjidhjen më serioze për të ardhmen më të mirë të komunës së Ferizajt, për zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe perspektivën e përparuar.